SHBA vendosi tarifa prej 50%, presidenti Lula sfidon Trump: Brazili nuk do të përkulet

30/07/2025 22:26

Presidenti brazilian Luiz Inácio Lula da Silva ka reaguar ashpër ndaj vendimit të presidentit amerikan Donald Trump për vendosjen e tarifave 50% ndaj Brazilit, duke theksuar se nuk do të frikësohet dhe se vendi i tij do të veprojë si një shtet sovran.

Tarifat pritet të hyjnë në fuqi javën e ardhshme, si pjesë e një vendimi të nënshkruar nga Trump këtë të mërkurë. Presidenti amerikan ka justifikuar masën si përgjigje ndaj një “gjuetie shtrigash” të supozuar kundër aleatit të tij të ekstremit të djathtë, ish-presidentit Jair Bolsonaro, i cili përballet me akuza të rënda për komplot ndaj shtetit pas humbjes së zgjedhjeve në vitin 2022.

Në një intervistë për New York Times, Lula u shpreh se SHBA-ja dhe Brazili nuk duhet të kenë një marrëdhënie “humbëse”, duke shtuar se vendi i tij nuk do të negociojë me frikë:

“Nuk ka arsye për t’u frikësuar. Brazili nuk do të sillet si një vend i vogël. Do të negociojmë si një komb sovran,” u shpreh ai.

Ai tha se është i hapur për negociata, por se nuk do të pranojë presion politik që cenon drejtësinë. Lula theksoi se çështja e Bolsonaros është në duart e gjyqësorit dhe se procesi ndaj tij po zhvillohet në përputhje me kushtetutën.

Vendimi i Trump për të përfshirë fatin e Bolsonaros si pjesë të arsyetimit për vendosjen e tarifave ka ndezur debat në të dyja vendet. Ekspertët besojnë se ky qëndrim është reflektim i përvojës personale të Trump me drejtësinë në SHBA dhe përpjekjet për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të 2020-ës.

Megjithatë, Lula nuk e përjashton mundësinë e një tërheqjeje nga pala amerikane, duke e krahasuar situatën me panikun e viteve 2000 për virusin e mijëvjeçarit:

“Të gjithë prisnin katastrofë… por asgjë nuk ndodhi,” tha ai, ndërsa theksoi se nuk mund të garantojë të njëjtin skenar.

Tarifat e reja rrezikojnë të thellojnë tensionet tregtare mes dy prej ekonomive më të mëdha të Amerikës dhe të trazojnë marrëdhëniet diplomatike SHBA–Brazil në një moment të ndjeshëm ndërkombëtar.

Top Channel