Pranoi se ndihmoi të birin të fshihte kufomën, nëna e vrasësit të Ilaria Sulës kërkon t’ia “hedhë paq”

30/07/2025 17:50

Gjyqtarja hetuese e Romës, Antonella Minunni, ka lëshuar një urdhër gjykimi të shkurtuar ndaj Nors Manlapaz, nëna e Mark Antony Samson, 23-vjeçarit që ka rrëfyer se vrau studenten shqiptare Ilaria Sula, vetëm 22 vjeç.

Manlapaz akuzohet për komplot për të fshehur një kufomë, një vepër penale e rënduar nga një lidhje teleologjike – term ligjor që nënkupton se veprimi është kryer për të fshehur një krim tjetër, në këtë rast vrasjen e vajzës.

Seanca dëgjimore për çështjen e saj është caktuar për 10 dhjetor dhe do të zhvillohet në gjykatën e Romës, përpara një gjyqtari të vetëm.

Sipas burimeve pranë mbrojtjes, nëna e Samson mund të kërkojë një procedurë alternative, duke përfshirë marrëveshje për pranimin e fajësisë, për të përfituar nga uljet e dënimit të parashikuara me ligj.

Kujtojmë se rasti i vrasjes së Ilaria Sula ka tronditur opinionin publik italian, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të zbardhur plotësisht motivet dhe rrethanat e krimit. Përfshirja e nënës së autorit në një skenar të mundshëm të bashkëpunimit pas krimit e bën çështjen edhe më të rëndë dhe të ndërlikuar nga pikëpamja ligjore dhe morale.

Top Channel