
Papa Leoni XIV tha në Meshën e parë të Vatikanit për influencerat katolikë të mediave sociale se dinjiteti njerëzor duhet të mbrohet në internet, ndërsa bota përballet me “sfidën” e inteligjencës artificiale AI.
“Asgjë që vjen nga njeriu dhe kreativiteti i tij nuk duhet të përdoret për të minuar dinjitetin e të tjerëve”, tha Papa në Bazilikën e Shën Pjetrit.
Teknologjia në zhvillim duhet të përdoret “për të mirën e të gjithë njerëzimit”, tha ai gjatë fjalimeve në Jubileun e të Rinjve të Vatikanit, një takim njëjavor për besimtarët e rinj që mbahet çdo 25 vjet. Është i fundit në një seri ndërhyrjesh që Papa ka bërë mbi temën e AI që nga zgjedhja e tij në maj.
Gjatë fjalimit, Papa i bëri thirrje botës të mbrojë “kapacitetin tonë për të dëgjuar dhe për të folur” në një “epokë të re”.
“Ne kemi detyrë të punojmë së bashku për të zhvilluar një mënyrë të menduari, për të zhvilluar një gjuhë, të kohës sonë, që i jep zë dashurisë”, tha Papa.
Ai gjithashtu u bëri thirrje influencerave të mediave sociale të kërkojnë “ata që vuajnë dhe kanë nevojë ta njohin Zotin” me përmbajtjen e tyre.
“Të jemi agjentë të komunitetit, të aftë për të thyer logjikën e ndarjes dhe polarizimit, të individualizmit dhe egoizmit”, shtoi ai.
Gjatë fjalimit të tij të parë të së dielës në maj, Papa Leoni XIV argumentoi se zhvillimi i Inteligjencës Artificiale dhe zhvillimeve të tjera nënkuptonte se Kisha ishte thelbësore në mbrojtjen e dinjitetit njerëzor dhe drejtësisë.
Papa Leoni XIV, i cili studioi matematikë në Universitetin Villanova në Filadelfia në vitin 1977, është papa i parë nga Shtetet e Bashkuara. I lindur në Çikago në vitin 1955 nga prindër me prejardhje spanjolle dhe franko-italiane, Leoni shërbeu si prift dhe u shugurua në vitin 1982.
Edhe pse u transferua në Peru tre vjet më vonë, ai kthehej rregullisht në SHBA për të shërbyer si prift në qytetin e tij të lindjes. Ai mban shtetësi peruane dhe kujtohet me dashuri si një figurë që punoi me komunitetet dhe ndihmoi në ndërtimin e urave.
Top Channel