Mori para në këmbim të dokumenteve të legalizimit, dënohet ish-punonjësi i Kadastrës në Fier! Shpallen fajtorë shtetasit që i ofruan ryshfet

30/07/2025 14:46

Ish-punonjësi i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Fier, Endri Ngresi u shpall fajtor për korrupsion pasiv.

Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e dënoi me tre vite burg, ndërkohë që i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej pesë vjetësh.

GJKKO shpalli fajtore edhe Afërdita Vidhin, që i ofroi ryshfet Ngresit për të marrë në këmbim letrat e legalizimit. Ajo ka konsumuar veprën penale të “korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, ndërkohë që gjykata e përjashton nga dënimi.

Me një vit burg u dënua bashkëpunëtori i Vidhit, që po ashtu u shpall fajtor për korrupsion aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike” e kryer në bashkëpunim.

Hetimet e SPAK nxorën se Afërdita Vidhi, në bashkëpunim me të pandehurin Ardjan Kumanaku i dhanë një shumë monetare në vlerën 2000 euro Endri Ngresit, i cili ka qenë punonjës pranë ASHK-së Fier, me qëllim pajisjen me dokumente legalizimi të shtëpisë së saj në Fier.

Top Channel