
Një skenë prekëse u zhvillua sot në Birmingham, ku mijëra fansa u mblodhën për t’i dhënë lamtumirën ikonës së Black Sabbath, Ozzy Osbourne, i cili ndërroi jetë javën e kaluar në moshën 76-vjeçare.
E shoqëruar nga fëmijët Jack (39), Kelly (40), Aimee (41) dhe djali i Ozzy-t nga martesa e parë, Louis (50), Sharon Osbourne u pa duke shpërthyer në lot teksa lexonte mesazhet prekëse të fansave për burrin e saj. Familja mbërriti me lule të purpurta të mbështjella me letër të zezë – një nderim simbolik për stilin e veçantë të Ozzy-t.
Kelly mbante syze rrethore si një homazh për pamjen karakteristike të babait të saj, ndërsa kërkoi mbështetje te i fejuari Sid Wilson dhe djali i tyre Sidney. Edhe vajza e madhe Aimee, që rrallë shihet në publik, dhe Sharon përshëndetën fansat e emocionuar duke bërë shenjën e paqes.
Përgjatë rrugës, thirrjet “Ozzy, Ozzy, Ozzy” jehonin pa pushim, ndërsa njëri prej të pranishmëve bërtiti: “Të duam Sharon!”, duke shtuar emocionalitetin e momentit. Emri i këngëtarit ishte vendosur në mënyrë madhështore në kortezh me lule ngjyrë vjollcë, ndërsa një bandë frymore nga grupi lokal Bostin’ Brass udhëhoqi procesionin përmes tingujve që nderonin trashëgiminë muzikore të legjendës së heavy metal-it.
Arkivoli i Ozzy-t u transportua me një makinë Jaguar, e ndjekur nga gjashtë makina funerale Mercedes dhe një eskortë policie, teksa kaloi pranë shtëpisë së tij të fëmijërisë në Lodge Road. Pikërisht aty ishin vendosur qysh herët në mëngjes kurora dhe banera të pikturuar me dorë, balona me temë “Princi i Errësirës” dhe fansa që shfaqnin tatuazhet me fytyrën apo simbolet e Ozzy-t.
Një fans i quajtur Goose rrëfeu: “Kur zbulova heavy metal si adoleshent, ishte sikur më kuptonte dikush. Ozzy na dha ndjesinë e përkatësisë. Ai ishte pjesë e familjes për shumë prej nesh.” Ndërsa Evie Mayo shtoi: “Ai nuk ishte vetëm i madh për Birminghamin, por për gjithë botën. Muzika e tij më frymëzoi dhe po mëson kitarë që të luaj këngët e tij.”
Pas procesionit publik në Birmingham, familja Osbourne do të organizojë nesër një ceremoni private në një kishë në Gerrards Cross, Buckinghamshire. Këngëtari britanik Yungblud, mik i familjes, do të lexojë një dedikim të veçantë.
Ozzy ndërroi jetë të martën e kaluar në rezidencën e tij luksoze në Welders, Buckinghamshire, “i rrethuar nga dashuria” – siç thanë burime pranë familjes. Sharon dhe të afërmit e tij vendosën që ky të ishte një përshëndetje e fundit me fansat që e kthyen një djalosh nga Birmingham në një legjendë globale të muzikës.
Top Channel