Diddy ka dorëzuar një tjetër kërkesë për lirim me kusht, pak para seancës së dënimit të tij të planifikuar për më 3 tetor. Ekipi i tij ligjor po ecën përpara me një propozim të ri, duke u përpjekur të bindë gjykatën për ta liruar atë në pritje të vendimit përfundimtar.

Sipas dokumenteve të siguruara nga TMZ, avokatët e tij, Mark Anifillo dhe Tenny Geragos, argumentojnë se Diddy është “i vetmi person në Amerikë që mbahet në paraburgim sepse ka punësuar eskorta meshkuj për të kryer marrëdhënie seksuale me të dashurën e tij”.

Ai është shpallur fajtor për shkelje të Aktit Mann, një ligj federal që ndalon trafikimin e personave për qëllime imorale. Megjithatë, avokatët theksojnë se në shumicën e rasteve të ngjashme, të dënuarit zakonisht lirohen në pritje të apelimit. Ata argumentojnë se nuk kishte asnjë përfshirje të të miturve dhe se marrëdhëniet ishin me eskorta të rritura, të angazhuara në mënyrë konsensuale si pjesë e një stili jetese “swinger”. Ky stil përfshinte Diddyn, ish-partneren e tij Cassie Ventura, dhe një grua tjetër, identiteti i së cilës nuk është bërë publik. Avokatët gjithashtu theksojnë se Diddy nuk ka pasur kontakt seksual me eskortat meshkuj, por vetëm me partneret e tij.

Mbrojtja po i referohet edhe ndryshimeve kulturore dhe sociale në perceptimet ndaj seksualitetit që nga hyrja në fuqi e Aktit Mann, 115 vjet më parë, duke argumentuar se ky rast nuk përbën rrezik për publikun.

Edhe pse Diddy u lirua nga akuzat më serioze, përfshirë organizimin kriminal dhe trafikimin, ai mbetet në burg pas vendimit të jurisë. Gjykatësi vendosi që ai përbën rrezik për shoqërinë, duke u bazuar në incidente të mëparshme me natyrë të dhunshme.

Top Channel