
Sipas të dhënave të përfshira në dosjen e SPAK ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, një ndër akuzat kryesore është ajo e korrupsionit pasiv, e cila lidhet me dyshimet për ngritjen e një skeme të transferimit të fondeve publike drejt kompanive të lidhura me bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa.
Në dokumentet hetimore përmenden disa projekte kulturore të miratuara nga Bashkia e Tiranës, të cilat sipas SPAK janë zbatuar nga kompani të kontrolluara nga persona të afërt me Xoxën. Një nga rastet e përmendura është ai i kontratave që kapin vlerën e rreth 30 mijë eurove, të cilat janë realizuar nëpërmjet Teatrit Kombëtar, përfshirë aktivitetin “Festivali Ndërkombëtar i Dancit”, me përfitues kompaninë e Elman Abules.
Prokurorët kanë administruar gjithashtu dëshminë e znj. Abigeila Voshtina, drejtoreshë e Teatrit të Operas dhe Baletit deri në dhjetor 2024. Në dëshminë e saj, Voshtina ka deklaruar se ka firmosur kontrata të paligjshme gjatë kohës që drejtonte institucionin, me kërkesë të drejtpërdrejtë nga Ajola Xoxa, duke u ndjerë e detyruar për t’i nënshkruar ato.
Struktura vendimmarrëse dhe procedurat ligjore në Bashkinë e Tiranës
Legjislacioni në fuqi i Bashkisë së Tiranës ia jep Këshillit Artistiko- Kulturor të kryeqytetit të drejtën për të miratuar projektet kulture.
Kjo strukturë e ngritur me vendim të Këshillit Bashkiak të Tiranës përbëhet nga 9 anëtarë – figura të njohura të jetës artistike, kulturore dhe sportive – dhe vendimet e tij shërbejnë si bazë për financimin e projekteve përkatëse.
Gjithashtu, Këshilli Bashkiak ka miratuar më 11.03.2016, përmes vendimit nr. 12, rregulloren për financimin e projekteve kulturore, artistike, rinore dhe sportive. Kjo rregullore përshkruan hap pas hapi të gjithë procedurën që duhet ndjekur për miratimin dhe financimin e një projekti kulturor nga Bashkia.
Delegimi i kompetencave nga Kryetari i Bashkisë
Një tjetër element ligjor me rëndësi është urdhri i firmosur nga kryebashkiaku Veliaj rreth 7 vite më parë, për delegimin e kompetencave të tij në fushën e financimeve kulturore. Sipas këtij urdhri, përgjegjësia për firmosjen e akteve të mbështetjes financiare të projekteve artistike i është deleguar njërit prej nënkryetarëve të Bashkisë së Tiranës.
Bazuar në këtë skemë vendimmarrjeje, procedurat e financimit të projekteve artistiko-kulturore janë ndjekur nga Këshilli Artistiko-Kulturor dhe më pas janë zyrtarizuar nga nënkryetari përkatës, në përputhje me delegimin e bërë nga kryetari i Bashkisë.
Në këtë mënyrë, nëse provohet që procedurat janë ndjekur në përputhje me rregulloren e miratuar dhe kompetencat janë zbatuar sipas urdhrave të delegimit, përgjegjësia direkte e kryetarit të Bashkisë për kontratat në fjalë mbetet për t’u përcaktuar në mënyrë të qartë përmes hetimeve të mëtejshme.
Top Channel