
Një sistem i ri digjital i kontrollit kufitar, i njohur si Entry/Exit System (EES), do të fillojë të implementohet në vendet e Bashkimit Europian duke filluar nga 12 tetori 2025, me ndikim të drejtpërdrejtë për udhëtarët që nuk janë shtetas të BE-së, përfshirë edhe britanikët.
Sistemi do të zbatohet gradualisht për një periudhë gjashtëmujore, në prag të pushimeve të mesit të vitit shkollor në shumë vende.
Sipas Komisionit Europian, EES do të zëvendësojë vulosjen aktuale të pasaportave për vizitorët afatshkurtër dhe do të regjistrojë në mënyrë digjitale hyrjet dhe daljet e tyre në 29 vende europiane, përfshirë ato të zonës Shengen.
Në thelb, ai synon të përshpejtojë hyrjen për udhëtarët e rregullt, të luftojë migracionin e parregullt dhe të bëjë më të lehtë për autoritetet kontrollin nëse dikush ka tejkaluar qëndrimin e lejuar.
Çfarë do të ndryshojë për udhëtarët?
Shtetasit jo të BE-së, përfshirë britanikët, nuk do ta kenë më të nevojshme vulosjen e pasaportës.
Gjatë kalimit të kufirit për herë të parë, udhëtarët do të duhet të verifikojnë ose shenjat e gishtave, ose fytyrën, por jo të dyja njëkohësisht.
Të dhënat biometrike do të ruhen për qëllime të regjistrimit dhe sigurisë.
Sistemi do të bëhet plotësisht funksional pas gjashtë muajsh nga nisja zyrtare.
Kioska dhe pajisje për marrjen e gjurmëve të gishtave janë tashmë në ndërtim në terminalin e Eurostar-it në Londër dhe në Portin e Doverit, ndërsa janë planifikuar gjithashtu struktura të reja për pasagjerët që udhëtojnë me makinë, autobus apo kamion.
Megjithëse operatorët rrugorë si Eurotunnel dhe Porti i Doverit kishin shpresuar në një aplikacion të posaçëm për të lehtësuar kalimin, ky ende nuk është gati, pasi secili shtet anëtar po punon për të integruar EES në sistemet e veta kombëtare të emigracionit – që janë kompetencë shtetërore dhe jo direkt e BE-së.
Ky zhvillim është pjesë e projektit më të gjerë të BE-së për “kufij të zgjuar” (smart borders), me qëllim krijimin e një procesi më të shpejtë, më të sigurt dhe më të dixhitalizuar për udhëtarët që hyjnë në territorin europian.
Top Channel