Ultimatumi i Trump, rebelohet Putin! Intensifikohen sulmet mbi Ukrainë, Zelensky: Ka goditur 73 qytete e fshatra

29/07/2025 22:19

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka konfirmuar se të paktën 22 persona kanë humbur jetën, teksa 85 të tjerë janë plagosur nga sulmet ruse që shënjestruan 73 qytete dhe fshatra në Ukrainë, disa orë pas afatit të ri të shpallur prej presidentit amerikan, Donald Trump.

Zelensky i ka përshkruar bombardimet deri në detaje, përfshirë sulmin mbi një spital në qytetin e Kamianske, prej të cilit mbetën të vrarë tri persona, ndër ta një grua shtatzënë, dhe po ashtu “sulmin e qëllimshëm” ndaj ndërtesës së burgut në Zaporizhia, ka raportuar “The Guardian”.

Çdo vrasje e njerëzve tanë nga rusët do të mund të shmangej, nëse do të ishim dakorduar rreth armëpushimit më herët, nëse Rusia s’do ta kundërshtonte. E gjitha kjo tregon se ndaj Moskës duhet të ushtrohet trysni me sanksione shumë të ashpra, vërtet të dhimbshme, dhe për rrjedhojë të drejta dhe efektive”, ka thënë ai.

Mes tjerash, ai e ka falënderuar Trumpin për komentet e tij, dhe të gjithë liderët botërorë që i kanë bërë presion Rusisë.

Paqja është e mundur, por vetëm kur Rusia ta ndërpresë luftën dhe dhimbjet që po ia shkakton popullit tonë”, ka shtuar Zelensky.

Trump deklaroi të hënën se është shumë i zhgënjyer me presidentin rus, Vladimir Putin. Ai ka shtuar se do ta shkurtojë afatin 50-ditor të cilin ia ka dhënë Rusisë për ta pranuar marrëveshjen e paqes në Ukrainë.

Do t’i reduktoj 50 ditët që ia dhashë atij, sepse mendoj se e di se çfarë ka për të ndodhur”, ka thënë Trump.
I pyetur nga gazetarët se cili do të jetë afati i ri, presidenti amerikan ka theksuar se është “10 ose 12 ditë, duke nisur nga e hëna”.

Top Channel