
Tom Cruise dhe Ana de Armas u fotografuan shumë afër njëri-tjetrit gjatë koncertit të grupit britanik Oasis, duke shtuar më tej thashethemet për një lidhje romantike mes tyre.
Të shtunën, më 26 korrik, dy aktorët u panë duke kërcyer së bashku në koncertin e mbajtur në stadiumin Wembley të Londrës.
Në një video të publikuar në Instagram nga producenti dhe DJ britanik Goldie, Cruise dhe De Armas shfaqen në sfond duke qëndruar shumë pranë njëri-tjetrit. Aktori madje duket se përpiqet t’i mbajë dorën aktores, duke rritur dyshimet për një marrëdhënie përtej miqësisë.
Tom Cruise u shfaq i qeshur dhe në humor të mirë, duke pozuar për selfie me DJ Goldie gjatë koncertit. Edhe pse asnjëri prej tyre nuk e ka konfirmuar lidhjen, janë fotografuar disa herë së bashku gjatë këtij viti në dalje të ndryshme publike.
Tom Cruise and Ana de Armas spotted at Oasis concert as romance rumors heat up https://t.co/tepEkpudAQ pic.twitter.com/CfXRRoW9Ee
— Page Six (@PageSix) July 28, 2025
Të dy u panë për herë të parë bashkë në shkurt, gjatë një darke në Londër, nga e cila u larguan me një taksi të përbashkët. Një burim për revistën People atëherë tha se bëhej fjalë për një takim pune, ku aktorët diskutonin për bashkëpunime të mundshme në projekte të ardhshme.
Në muajin maj, Ana de Armas festoi ditëlindjen e saj të 37-të në Londër me Tom Cruise në krah. Më 1 maj, ata u fotografuan duke udhëtuar së bashku me helikopter, ndërsa më vonë u panë duke u larguar bashkë nga festa e 50-vjetorit të David Beckham, të ulur pranë njëri-tjetrit në sediljen e pasme të një SUV-i luksoz. Në një intervistë të mëvonshme, aktorja u shpreh për “marrëdhënien argëtuese” që ka me Cruise, duke zbuluar gjithashtu se janë të përfshirë në disa projekte së bashku.
Pjesëmarrja e Tom Cruise në koncertin e Oasis u konsiderua befasuese, duke pasur parasysh përplasjet publike që ai ka pasur në të kaluarën me vëllezërit Gallagher. Në dokumentarin “Lord Don’t Slow Me Down” të vitit 2007, Noel Gallagher ishte shprehur me fjalë jo të mira për aktorin, duke thënë: “Ai është një kopil i vogël dhe nuk ka qenë në asnjë film të mirë.” Liam shtoi: “E urrej Tom Cruise. Çmenduri. Atë dhe Michael Owen.”
Megjithatë, duket se konfliktet kanë mbetur në të kaluarën. Në vitin 2009, Cruise dhe Liam Gallagher thuhet se janë përballur rastësisht në një hotel në Berlin dhe kanë shkëmbyer fjalë miqësore, duke shtrënguar duart përpara se të ndaheshin.
Sot, çdo tension duket se ka kaluar. Aktori i famshëm shijoi koncertin në Wembley si shumë të tjerë, përfshirë edhe emra të njohur si Dua Lipa dhe Calum Turner, që u panë në publik.
Top Channel