
Një fushatë e re reklamuese me aktoren amerikane Sydney Sweeney ka shkaktuar një valë reagimesh dhe kritika në rrjetet sociale, pas një loje fjalësh të cilën shumë e konsideruan problematike dhe të pandjeshme ndaj çështjeve të diversitetit.
Fushata, e titulluar “Sydney Sweeney Has Great Genes/Jeans”, bazohej në një lojë fjalësh mes “genes” (gjenet) dhe “jeans” (xhinse), duke bërë referencë si ndaj veshjes së markës ashtu edhe ndaj karakteristikave fizike të aktores 27-vjeçare.
Në një nga videot, Sweeney shfaqet e veshur kokë e këmbë me xhins, duke ecur drejt një billboard-i ku shfaqet imazhi i saj me mbishkrimin “Genes”. Ajo më pas lyej fjalën me bojë të bardhë dhe e zëvendëson me “Jeans”. Në një tjetër spot, ajo mbyll pantallonat e saj të xhinsit, ndërkohë që një zë në sfond shpjegon se si gjenet ndikojnë te tiparet fizike si ngjyra e flokëve, personaliteti apo sytë.
Por pjesa më e kritikuar erdhi kur Sweeney, e cila ka sy blu, sheh drejt kamerës dhe thotë: “My jeans/genes are blue.” Paqartësia në shqiptim u interpretua nga shumë përdorues në TikTok si një nënkuptim i mbivlerësimit të tipareve kaukaziane, si sytë blu dhe flokët biondë — një standard që në histori është lidhur me idealizimin e një race të caktuar.
“Kur këto tipare promovohen vazhdimisht si ideale, e dimë shumë mirë ku çon kjo,” shkroi një komentues në TikTok. Të tjerë e quajtën të pafalshme mungesën e diversitetit në krijimin e fushatës.
“Kush e miratoi këtë ide?”, pyeti një tjetër. “Kjo ndodh kur në dhomën kreative mungon çdo zë i ndryshëm — sidomos në kohë si këto. Janë kapur pas një loje ‘të zgjuar’ me fjalë dhe kanë harruar ndjeshmërinë themelore.”
Fushata është ende aktive në disa platforma, por përfaqësues të markës nuk kanë bërë ende një reagim zyrtar ndaj polemikave në rritje. Ndërkohë, rrjeti vazhdon të shpërndajë reagime të ndara mes mbrojtësve të idesë si thjesht kreative dhe kritikëve që e konsiderojnë të papërshtatshme në një klimë sociale gjithnjë e më të ndjeshme ndaj çështjeve të përfaqësimit.
Top Channel