SPAK mbylli hetimet për ish-Presidentin, reagon Meta: Më njoftoi një gardian i burgut, mezi pres përballjen pas 6 vjetësh hetime

29/07/2025 18:49

Kreu i së Lirisë Ilir Meta ka reaguar pas mbylljes së hetimeve nga SPAK, ku ka deklaruar se nuk ka marrë asnjë ftesë zyrtare, por është njoftuar nga një gardian i burgut.

“Nuk kam patur as ftesë dhe as shkresë zyrtare nga SPAK deri sot në ora 08:30, kur një gardian i IEVP “Jordian Misja” më komunikoi verbalisht se në orën 09:50 më kërkonin te SPAK, pa dhënë asnjë lloj sqarimi.

U lidha me avokatin tim, Kujtim Cakrani, i cili sot kishte kaluar kufirin dhe e kishte të pamundur për t’u paraqitur në SPAK në orën e komunikuar në mënyrë verbale nga një gardian. Ndaj duke qenë se prania e avokatit është e domosdoshme nga pikëpamja proceduriale do të paraqitemi në SPAK sa më parë avokati ta ketë të mundur.

Mezi presim gjykimin dhe përballjen, pas 6 vitesh hetimesh, që nga dhjetori 2019, për të çmontuar këtë proces farsë, të urdhëruar nga tribuna e Asamblesë së Partisë Socialiste, në mënyrë që i gjithë opinioni vendas dhe ndërkombëtar të mësojë të vërtetat e vetme:

ZERO fakte penale! ZERO prova penale! ZERO akte dhe vendime të paligjshme! ZERO lekë dëm buxhetit të shtetit! ZERO lekë të përfituara në shkelje të ligjit! ZERO pasuri të paligjshme!”-shprehet Meta.

Top Channel