SHBA, të shtëna me armë në zemër të Manhatanit! 5 të vrarë, mes tyre një polic

29/07/2025 07:49

Pesë persona, përfshirë një oficer të Departamentit të Policisë së Nju Jorkut (NYPD), mbetën të vrarë pas një të shtëne masive të ndodhur në një ndërtesë zyrash në Park Avenue, në zemër të Manhattanit.

Ngjarja ndodhi brenda godinës ku ndodhen zyrat e Ligës Kombëtare të Futbollit (NFL) dhe firmës së investimeve Blackstone.

Autori i dyshuar i të shtënave është identifikuar si Shane Devon Tamura, 27 vjeç, i cili kishte udhëtuar me makinë nga Las Vegas drejt New York City pak ditë para sulmit. Ai hapi zjarr në hollin e ndërtesës me adresë 345 Park Avenue, gjatë orës së pikut të mëngjesit, duke vrarë një oficer të policisë dhe disa persona të tjerë përpara se të ngjitej në katin e 33-të dhe të qëllonte veten në gjoks.

Një person tjetër që u plagos rëndë ndodhet në gjendje kritike, por të qëndrueshme, ndërsa katër persona të tjerë u lënduan lehtë teksa përpiqeshin të iknin nga vendngjarja.

Sipas policisë, Tamura kishte me vete një pushkë sulmi M4, si dhe një armë dore të mbushur, municione, karikatorë dhe ilaçe, të cilat u gjetën gjatë kontrollit të makinës së tij. Nuk janë zbuluar materiale shpërthyese.

Tamura kishte leje për mbajtjen e armëve në shtetin e Nevadës. Ekspertë të sigurisë thanë se kriteret për të marrë një leje të tillë janë minimale dhe nuk përfshijnë një kontroll të thelluar të shëndetit mendor, ndonëse ai kishte një histori të dokumentuar në këtë drejtim.

Motivet e ngjarjes mbeten të paqarta. Policia dhe FBI janë duke hetuar arsyet që e çuan Tamurën të shënjestronte këtë ndërtesë specifike në qendër të qytetit.

Një nga viktimat ishte Didarul Islam, 36 vjeç, oficer i NYPD-së, emigrant nga Bangladeshi, baba i dy fëmijëve të vegjël dhe në pritje të fëmijës së tretë. Kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, Eric Adams, u takua me familjen e Islamit dhe shprehu ngushëllimet e tij, duke e quajtur atë “një hero dhe një humbje të pazëvendësueshme për qytetin tonë.”

Agjentët e FBI-së mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe janë pjesë e hetimeve në vazhdim. Deri më tani, nuk është gjetur asnjë lidhje e drejtpërdrejtë e Tamurës me ndonjë grup ekstremist apo rrjet kriminal.

Top Channel