67-vjeçari në foto është Arben Shtraza, i cili u arrestua pasi plagosi me thikë një 70-vjeçar në Durrës, për një lojë domino.

Pas plagosjes, autori u largua, por u kap pas disa minutash ndjekjeje nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës. Në momentin e kapjes, autori kishte me vete mjetin prerës (thikë) me të cilin kreu plagosjen.

Arrestimi i tij u bë pasi dje, në lagjen nr. 11, Durrës, në zonën e njohur si “Lulishtja”, pranë sheshit “Pranvera”, gjatë një konflikti për motive të dobëta dhe një debati verbal me fjalë fyese, ai goditi me mjet prerës (thikë) shtetasin F. T., 70 vjeç, banues në të njëjtën lagje, duke e plagosur rëndë.

I dëmtuari ndodhet në Spitalin Rajonal Durrës, në kujdesin e mjekëve.

Në cilësinë e provës materiale, u sekuestrua mjeti prerës (thikë) me të cilin u krye plagosja. Policia thotë se vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Top Channel