Kolegji Zgjedhor rrëzoi akuzat për farsë elektorale, por Sali Berisha nuk heq dorë dhe do ndjekë çdo hallkë të gjyqësorit për t’u ankuar për rezultatin e 11 majit.

Doktori paralajmëroi se do trokasë në Gjykatën Kushtetuese për t’u ankuar për votën e diasporës. Nga trupa e gjyqtarëve nuk pret drejtësi, por i sheh si një hallkë të pashmangshme të gjyqësorit për të çuar betejën ligjore të demokratëve për zgjedhjet në Strasburg.

“Natyrisht kjo gjykatë ka problemin e madh se vendimet e saj kur nuk i pëlqejnë Edi Ramës, hidhen në kosh. Por Gjykata Kushtetuese gjithashtu është një shkallë, etapë për të kaluar çështjet në Strasburg”, tha lideri i opozitës.

Në pritje të raportit të OSBE/ODIHR, Sali Berisha akuzoi kundërshtarin politik se po ushtron presion mbi ndërkombëtarët që dokumenti final të jetë kundër opozitarëve.

“E dënoj me forcën më të madhe të gjithë presionin dhe unë informoj komunitetin ndërkombëtar se Edi Rama po bën përpjekje të jashtëzakonshme. Por besimi im i madh, i palëkundur, është te institucionet ndërkombëtare”, shtoi Berisha.

Me prova të reja në duar, Sali Berisha akuzoi shumicën socialiste se intimidoi votuesit dhe përdori punësimet në administratë përkundrejt votave. Nën sulm vuri edhe kreun e SPAK, Altin Dumani, të cilin e shpalli armik të votës së lirë.

Top Channel