“Pallati 176 i mbijetoi dekadave për shkak të humorit të pastër”/ ‘Elsa’ dhe ‘Marjeta’ kujtojnë vlerësimet dhe kritikat për komedinë kult: Futëm elementë nga vetja, por…

29/07/2025 18:05

40 vite më parë, në skenën e teatrit u vendos komedia “Pallati 176”, shfaqja që rrëmbeu menjëherë interesin e publikut, që ende sot qesh me batutat epike.

Autorja Adelina Balashi vendos në qendër të veprës familjen shqiptare. E vënë në skenë nga regjisorët Andon Qesari dhe Alfred Bualoti, Pallati hodhi themele të forta në artin skenik shqiptar.

Nuk është ndonjë shfaqje e përmasave të mëdha, por në fund të ditës, për popullin tonë është Shekspir. Është arti jonë, jeta jonë e përditshme. Një arsye pse i ka mbijetuar kohës është humori i pastër“, u shpreh Elida Janushi, që në komedi luan rolin e Marjetës.

Kjo komedi kult u shfaq mbrëmjen e kaluar në Kinemanë Verore të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, që u mbush me dashamirësi si asnjëherë tjetër, në praninë e disa aktorëve që kujtojnë bashkëpunimin me aktorët e mëdhenj si Roland Trebicka e Violeta Manushit si dhe mënyrës si u prit shfaqja, mes vlerësimeve e kritikave.

“Në kohën që e kemi luajtur kishte skeptikë, e quanin pa nivel. Por ndonjëherë është edhe diçka e thjeshtë, e rëndësishme është që të luhet bukur dhe ne e kemi luajtur me shumë dashuri, që nga Rolandi, Violeta dhe aty ndihet”, kujtoi Eva Alikaj, që luan rolin e Elsës te “Pallati 176”.

“Puna me ta ishte e jashtëzakonshme. Po shikoj tani dhe më duket sikur janë akoma, këtë të bën arti. Të përjetëson”, u shpreh Janushi.

Edhe më të veçantë e bënë veprën elementët e veçantë të shtuar nga vetë aktorët, që dhanë gjithçka nga vetja.

E ndieja që kur reagoja dhe zgjidhja mënyrën e interpretimit, këta mezi mbanin gazin. Shikoja që entuaziazmoheshin. Mua për shembull më pëlqenin pantallonat dhe kjo ishte një lloj thyerje”, tregoi Alikaj.

Aq popullore mbeti kjo komedi, saqë emri i personazhit i ndjek edhe sot, pas katër dekadash.

“Kur më thërrasin Elsa nuk e kam problem, përkundrazi është kënaqësi. Edhe sot kur po vija me taksistin, ai më thoshte Elsa gjithë rrugës”, tha Eva Alikaj.

“Shpeshherë më harrojnë emrin. Mua më bëhet jashtëzakonisht qejfi se nuk ka më mirë se sa të thërrasin me emrin e personazhit që ti ke luajtur dhe përjetuar”, u shpreh Elida Janushi.

Ndërkohë Kinemaja Verore e DPA-së do të vijojë gjatë kësaj vere me transmetimet e komedive shqiptare, duke vlerësuar artistët, krijimet e të cilëve i kanë rezistuar kohës.

Top Channel