
Kur mbërrin shiu, sjell kaos në Formula 1. Reshjet kishin ndikuar në garën në Britaninë e Madhe, por të dielën në Belgjikë gjërat shkuan edhe më keq, pasi drejtuesit e garës i lanë pilotët të qëndronin në bokse për 1 orë e 20 minuta, duke pritur kushte më të mira. Arsyeja pas vendimit të FIA-s ishte mungesa e shikueshmërisë në pistë, me ujin që ngrihej kur kalonin makinat.
Kjo ndodhi edhe sepse shiu kishte ndaluar në orën 15:00, në momentin e startit, për të rifilluar me intensitet pak më pas. Reshjet e dendura zgjatën deri në orën 16:00 pasdite, por FIA donte të ishte e sigurt për motin, për të shmangur reshjet e mëtejshme gjatë garës dhe e caktoi fillimin e garës pas Makinës së Sigurisë në orën 16:20. Kishte pilotë si Norris apo Alonso, të cilët e mirëpritën këtë vendim, por kishte edhe të tjerë që u treguan menjëherë kritikë, si Vershtapen.
Vendimi i Drejtimit të Garës për të shtyrë startin në Spa nuk u mirëprit nga të gjithë pilotët, veçanërisht ata që i duan garat me shi, ku talenti i një piloti bën ende diferencën. Midis tyre ishte Maks Vershtappen, i cili mbërriti i katërti në finish në Çmimin e Madh të Belgjikës. Vershtapen e kishte shprehur zhgënjimin e tij edhe në radion e ekipit gjatë xhiros së ngrohjes, ndërsa e theksoi edhe në prononcimin pas garës: “Drejtimi i Garës i kujdesshëm? Do të thosha se ishte shumë më i kujdesshëm sesa duhej. Duhet të kishim filluar menjëherë, sepse nuk po binte shi. Mund të kishim qëndruar pas Makinës së Sigurisë për tri ose katër xhiro dhe pastaj mund të rifillonim sërish”.
Vendimi u mor për të ruajtur sigurinë e pilotëve pistë, por me këto masa garat në mot të lagësht po bëhen më të rralla. “Ne folëm me ta dhe na thanë se do të ishin më të kujdesshëm, por ata ishin shumë ekstremë. Gjithashtu, sepse nuk mund të garosh më në mot të lagësht. Bëmë disa xhiro me goma të ndërmjetme dhe pastaj kaluam menjëherë në goma të lëmuara. Nuk duhet të jetë kështu”, deklaroi kampioni në fuqi i Formula 1.
Në Belgjikë, Red Bulli zbatoi një strategji të kundërt me atë që ndoqi në Silverston, ku ata kishin përqendruar gjithçka në kualifikime, duke sjellë një krah me performancë të ulët, i cili, megjithatë, nuk performoi në mënyrën më të mirë në garën e motit të lagësht. Në Spa, austriakët sakrifikuan kualifikimet duke përgatitur RB21 për një garë që pritej të ishte me mot të lagësht. “Me gomat e ndërmjetme, bëmë një zgjedhje të caktuar konfigurimi dhe më pas na lejuan të drejtonim në kushte pothuajse të lëmuara”, tha holandezi. “Kjo ishte pak zhgënjyese sepse folëm, pas Britanisë, për të qenë pak më të kujdesshëm, por për mua ky ishte ekstremi tjetër”, shtoi piloti i Red Bullit.
Kështu që konfigurimi i makinës në kushte lagështie nuk pati shumë dobi në një garë që u zhvillua në kushte të thata: “Zgjedhja që bëmë me konfigurimin e makinës ishte e gabuar, sepse nuk na lejuan të garonim në kushte lagështie. Pasi vendosëm në gomat e thata, ishim thjesht shumë të ngadaltë në pista të drejta. Kjo, e kombinuar me të gjitha problemet e përgjithshme të ekuilibrit që kam me këtë makinë, vetëm sa e përkeqësoi situatën”, përfundoi Vershtapen./TAR
Top Channel