
Tërheqja e litarit mes AC Milan dhe Club Brugge për transferimin e mesfushorit Ardon Jashari ka kaluar përtej fushës së negociatave dhe tashmë është shpërndarë me forcë në rrjetet sociale.
Pas refuzimit të fundit të ofertës nga ana e klubit belg, tifozët e flaktë të kuqezinjve kanë “pushtuar” profilin zyrtar të Club Brugge në Instagram.
Komentet janë të shumta dhe të larmishme: nga gif-e, meme dhe emoji, deri te thirrje të drejtpërdrejta si #FreeJashari, duke i bërë apel klubit belg të lëshojë lojtarin.
Përveç komenteve që përmbajnë logon e Milanit dhe emrin e Jasharit, janë vërejtur edhe animacione ironike, si ai i mesfushorit që duartroket apo imazhe të kllounëve, të cilat përdoren zakonisht për të shfaqur pakënaqësi dhe tallje ndaj një pale tjetër në negociata.
Ky “presion dixhital” po interpretohet si një mënyrë për të shtyrë Club Brugge të zbusë qëndrimin e tij, por edhe si një sinjal ndaj drejtuesve të vetë Milanit, që tifozët duan ta shohin Jasharin sa më shpejt me fanellën kuqezi.
Ndërkohë, mbetet për t’u parë nëse ky reagim i tifozëve do të ndikojë në rrjedhën e negociatave për transferimin e 21-vjeçarit, i cili shihet si një nga talentet më premtues në mesin e fushës.
Top Channel