
Fansat e Ozzy Osbourne do të kenë mundësinë t’i japin lamtumirën e fundit legjendës së muzikës heavy metal, teksa trupi i tij do të sillet nesër në qytetin e tij të lindjes, Birmingham, për një procesion të veçantë.
Kortezhi mortor i liderit të Black Sabbath do të kalojë nëpër rrugët e qytetit, duke ndaluar në Broad Street nga ora 13:00, sipas njoftimit të Këshillit Bashkiak të Birminghamit.
Procesioni do të shoqërohet nga muzikantët e Bostin’ Brass dhe do të ndalet te ura dhe stoli kushtuar Black Sabbath, ku prej ditësh fansat kanë lënë lule dhe homazhe për artistin që ndërroi jetë javën e kaluar në moshën 76-vjeçare.
Ngjarja pritet të tërheqë turma të mëdha, teksa admiruesit e Osbourne do të kenë mundësinë të përshëndeten për herë të fundit me njeriun që i dha jetë një epoke të tërë në muzikë.
Kryetari i Bashkisë së Birminghamit, Zafar Iqbal, deklaroi: “Ozzy nuk ishte thjesht një legjendë e muzikës – ai ishte biri i Birminghamit. Ishte e rëndësishme për qytetin tonë të organizonim një përshëndetje të denjë dhe të ndershme përpara funeralit privat familjar. Ne e dimë sa shumë do të thotë ky moment për fansat e tij.”
Këshilli Bashkiak njoftoi se është punuar me ritme të shpejta për të koordinuar këtë ngjarje publike, ndërsa rruga Broad Street do të mbyllet për qarkullimin e mjeteve nga ora 07:00. Autobusët dhe tramvajet do të devijohen për të lejuar zhvillimin e aktivitetit në mënyrë të sigurt dhe të qetë.
Vetëm tre javë më parë, Ozzy dha koncertin e tij të fundit në Villa Park të Birminghamit, përkrah anëtarëve origjinalë të Black Sabbath, Tony Iommi, Geezer Butler dhe Bill Ward, në një rikthim emocionues pas 56 vitesh nga themelimi i bandës. Para më shumë se 42 mijë fansave, ai u përshëndet me emocion: “S’e keni idenë si ndjehem – faleminderit nga zemra.”
Një mesazh në ekran shkruante: “Faleminderit për gjithçka, jeni të mrekullueshëm. Birmingham përgjithmonë,” ndërsa qielli shpërtheu në fishekzjarrë.
Ozzy e kishte bërë të qartë se ky do të ishte performanca e tij e fundit për shkak të problemeve me shëndetin, pasi në vitin 2020 kishte zbuluar se vuante nga Parkinsoni.
I lindur si John Michael Osbourne në vitin 1948 në Birmingham, ai u bë një figurë ikonike e skenës muzikore botërore. Pasi la shkollën në moshën 15-vjeçare dhe kaloi një periudhë të shkurtër në burg për vjedhje, Ozzy iu përkushtua muzikës – dhe e gjithë bota e dëgjoi zërin e tij.
Pas suksesit me Black Sabbath, ai u largua nga grupi në vitin 1978 dhe me ndihmën e gruas së tij Sharon, ndërtoi një karrierë të suksesshme si artist solo. Familja Osbourne fitoi një audiencë të re në fillim të viteve 2000 përmes reality-show-t The Osbournes.
Ozzy ndërroi jetë i rrethuar nga dashuria e familjes, njoftoi Sharon Osbourne në një deklaratë javën e kaluar. Ai lë pas bashkëshorten dhe pesë fëmijët e tij. Sipas raportimeve të MailOnline, një ambulancë ajrore u thirr në shtëpinë e tij në fshat, ku mjekët u përpoqën për dy orë për ta shpëtuar.
Thuhet se Sharon po shqyrton mundësinë që Ozzy të prehet në kopshtet e rezidencës së tyre në një funeral intim familjar.
Por përpara se dyert të mbyllen përfundimisht, Birmingham do t’i japë nderimet që i takojnë ikonës së saj më të madhe.
Top Channel