Irani paralajmëron SHBA-të dhe Izraelin, ministri i Jashtëm iranian: Nëse sulmohemi sërish, do të përgjigjemi më me vendosmëri

29/07/2025 10:49

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, paralajmëroi të hënën se vendi i tij do t’i përgjigjej “më me vendosmëri” sulmeve të reja nga forcat e armatosura të SHBA-së ose Izraelit.

Araghchi dukej se po reagonte ndaj kërcënimeve të reja të lëshuara më herët nga presidenti amerikan, Donald Trump.

“Ne i kemi shkatërruar aftësitë e tyre bërthamore. Ata mund të fillojnë përsëri, por nëse e bëjnë, ne do t’i shkatërrojmë sa hap e mbyll sytë”, tha presidenti, gjatë udhëtimit të tij në Skoci.

“Nëse sulmi përsëritet, ne nuk do të hezitojmë të reagojmë në një mënyrë më vendimtare”, reagoi ministri i jashtëm iranian nëpërmjet X.

“Nëse ka shqetësime për devijimin e mundshëm të programit tonë bërthamor për qëllime jopolitike, opsioni ushtarak ka rezultuar joefektiv, por një zgjidhje e negociuar mund të sjellë rezultate”, shtoi ai.

Izraeli nisi një fushatë sulmesh pothuajse të gjitha nga ajri ndaj Iranit më 13 qershor, duke vrarë oficerë të lartë ushtarakë, shkencëtarë që punonin në programin bërthamor të Republikës Islamike dhe qindra civilë. Irani u hakmor duke dërguar qindra raketa dhe dronë për të goditur Izraelin.

Lufta zgjati 12 ditë.

Qeveria izraelite urdhëroi sulmin, duke përmendur programin bërthamor të Iranit, të cilin thotë se e sheh si një kërcënim ekzistencial, dhe nuk ka përjashtuar sulme të mëtejshme nëse Teherani përpiqet të rindërtojë objektet e tij.

Shtetet e Bashkuara ndërhynë në luftë duke bombarduar tre objekte kryesore bërthamore iraniane, në Fordow, Isfahan dhe Natanz.

Sulmi izraelit ndodhi dy ditë para një takimi të planifikuar midis përfaqësuesve të Teheranit dhe Uashingtonit, raundi i gjashtë i negociatave të tyre mbi programin bërthamor iranian.

Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë qëndrime të kundërta mbi pasurimin e uraniumit. Për Teheranin, çështja është “e panegociueshme” dhe do të vazhdojë. Për Uashingtonin, duhet të marrë fund dhe është një “vijë e kuqe”.

Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), Irani është i vetmi vend në botë pa një program armësh bërthamore që pasuron uraniumin në 60%. Për të ndërtuar bomba atomike, niveli i pasurimit duhet të arrijë në 90%.

Izraeli dhe fuqitë perëndimore e kanë akuzuar Iranin për dekada të tëra se kërkon të zhvillojë një arsenal bërthamor. Republika Islamike e mohon këtë.

Top Channel