“Divani Lunxhiot”/ Festivali folklorik që mbledh grupe nga Shqipëria dhe rajoni

29/07/2025 12:30

Festivali “Divani Lunxhot” ka nisur edicionin e tij të 11-të me një program të pasur artistik dhe me pjesëmarrjen e grupeve folklorike nga e gjithë Shqipëria dhe rajoni.

Këtë vit, festivali iu kushtua dy figurave të shquara të patriotizmit shqiptar, Pandeli dhe Koto Sotiri, për të nderuar kontributin e tyre në kulturë dhe arsim. Festivali po mbahet në fshatrat Dhoksat dhe Nokovë, destinacione të rëndësishme turistike rurale të Jugut.

Koço Vasili, organizatori i festivalit, tha: “Kemi grupe të mirënjohura, që nga grupi i Bënçës në Tepelenë, valltarët e shquar të Janinës, grupi i Mirditës, orkestrina e Beratit, gratë e Selosë të Dropullit të Sipërm, grupi i Lunxhërisë.”

Përveç grupeve nga Shqipëria, në skenë morën pjesë edhe ansambli nga Greqia, emigrantë shqiptarë dhe komunitete të tjera të diasporës. Gjithashtu, gratë e minoritetit grek sollën valle dhe këngë të rralla mbi 200-vjeçare, të ruajtura dhe grumbulluara me përkushtim brez pas brezi.

Vasiliqi Biçuni, përfaqësuese e grupit të grave të Selosë, tha: “Këto këngë janë njëra këngë e vjetër kurbeti dhe tjetra më shumë këngë dashurie. Vallja i kushtohet bukurisë së çiftit në një dasmë.”

Panajotis Janis, përfaqësues i grupit “Avjerinos” nga Janina, tha: “Jemi nga Janina dhe përfaqësojmë grupin Avjerinos. Jemi shumë të lumtur që marrim pjesë për herë të dytë në këtë event. Ndihemi shumë mirë këtu me mikpritjen dhe njerëzit, dhe besojmë se ky shkëmbim i shërben njohjes më të mirë dhe miqësisë mes popujve.”

Goliku, përfaqësues i grupit të Bënçës, tha: “Do të sjellim një këngë për legjendarin kosovar Adem Jasharin. Kemi edhe një këngë për Hito Lekdushin.”

Dhoksati, një nga 100 fshatrat e shpallura si destinacion turistik nga qeveria shqiptare, vazhdon të jetë një vend pritës ideal për këtë festival, që vit pas viti po shndërrohet në një pikë referimi për kulturën dhe trashëgiminë ballkanike.

Top Channel