Ditë vendimtare për Lookman! Interi “hap” thesin dhe i prezanton Atalantës ofertën e re, bergamaskët nuk heqin dorë nga sulmuesi

29/07/2025 13:30

Ditët e ardhshme pritet të jenë kyçe në tratativën mes Interit dhe Atalantës për mesfushorin Ademola Lookman, objektivi kryesor i merkatos verore të klubit zikaltër.

Beppe Marotta do të takohet me Luca Percassin për t’i paraqitur ofertën e re të Interit, e cila arrin në 43 milionë euro, me mundësinë e shtimit të disa bonuseve.

Megjithatë, kjo shumë mbetet larg kërkesës prej 50 milionë eurosh nga Atalanta për të lënë të lirë lojtarin e tyre të talentuar. Edhe pse ekziston një marrëveshje paraprake mes klubit bergamas dhe vetë Lookman për largimin, kushtet e shitjes mbeten të pakompromisuara.

Marotta synon të bindë Percassin pa ushtruar presion të tepruar, duke lënë një afat prej dy-tre ditësh për të arritur një marrëveshje. Në rast se Lookman nuk do të transferohet brenda kësaj periudhe, Interi do të fillojë të kërkojë alternativa të tjera për të forcuar sulmin e trajnerit Chivu.

Atalanta, nga ana tjetër, duket e përgatitur për largimin e Lookman dhe ka në plan zëvendësimin e tij me Federico Chiesan, i cili gjithashtu po ndiqet nga Napoli. Megjithatë, klubi bergamas është i njohur për kërkesat e tij të larta financiare dhe pozicionin e fortë në negociata, veçanërisht pasi këtë verë ka përfituar nga shitja e Reteguit dhe nuk ka nevojë urgjente për shitje të tjera.

Takimi pritet të jetë vendimtar për të kuptuar nëse ka hapësirë për një marrëveshje, teksa Marotta do të tentojë të gjejë një zgjidhje, ndërsa vendimi i fundit i mbetet Percassit dhe Atalantës.

Top Channel