
Liverpool ka hedhur një hap të madh drejt afrimit të Alexander Isak, pasi sipas mediave ndërkombëtare, sulmuesi i Newcastle ka arritur marrëveshje personale me “The Reds” për një kontratë pesëvjeçare.
25-vjeçari suedez është i vendosur të largohet nga “St. James’ Park” këtë verë dhe ka rënë dakord për një rritje të ndjeshme të pagës, nga 130 mijë paund në javë që merr te Newcastle, në afro 300 mijë paund që i ka ofruar Liverpooli.
Sipas Sky Sport France, Liverpool është i gatshëm të përmbushë kërkesat financiare të lojtarit, ndërsa tani i mbetet të bindë Newcastle për të ulur çmimin e kartonit të tij.
Klubi nga veriu i Anglisë kërkon plot 150 milionë paund, por drejtuesit e Liverpoolit janë optimistë se mund ta mbyllin marrëveshjen për 120 milionë paund, që do të ishte një rekord për blerjet në Premier League.
Pritet që përfaqësuesit e dy klubeve të takohen në ditët në vijim për të diskutuar kushtet e transferimit.
Isak, i cili realizoi 27 gola sezonin e kaluar, është lënë jashtë grumbullimit të Newcastle për fazën përgatitore në Azi. Klubi e justifikoi mungesën me një “dëmtim të lehtë në kofshë”, por në të njëjtën kohë u raportua se sulmuesi kishte kërkuar të largohej.
Trajneri i Newcastle, Eddie Howe, komentoi mbi të ardhmen e sulmuesit të tij: “Isak është ende lojtari ynë, ka kontratë me ne. Ne, deri diku, kemi kontrollin mbi atë që ndodh. Do të doja të besoja se të gjitha mundësitë janë ende të hapura. Nuk kemi marrë ende asnjë ofertë zyrtare për të. Dëshira ime është që ai të qëndrojë dhe të luajë me ne sezonin e ardhshëm, por kjo nuk është plotësisht në kontrollin tim.”
Liverpool ka shitur Luis Diaz për 65 milionë paund, një shumë që do të ndihmojë në financimin e transferimit të Isak.
Klubi i drejtuar nga Arne Slot në stol ka bërë një merkato agresive këtë verë, duke investuar mbi 270 milionë paund për emra si Florian Wirtz, Hugo Ekitike, Milos Kerkez dhe Jeremie Frimpong. Interesant është fakti se Ekitike kishte qenë në bisedime me Newcastle, përpara se Liverpool të ndërhynte me një ofertë prej 79 milionë paund.
Ndërkohë, Newcastle është në kërkim të zëvendësuesit të Isak. Ata kanë në listë sulmuesin e RB Leipzig Benjamin Sesko, për të cilin mund të ofrojnë 70 milionë paund, por edhe Ollie Watkins i Aston Villas është në radar — edhe pse për të po interesohet fort edhe Manchester United.
Top Channel