
Si rezultat i hetimeve të kryera për zbardhjen e vjedhjeve dhe nxjerrjen e autorëve të tyre përpara përgjegjësisë penale, Komisariati i Policisë Kavajë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Durrës, finalizuan operacionin policor të koduar “Precedenti”, në kuadër të të cilit u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit: N. L., 29 vjeç, banues në Elbasan, G. Gj., 46 vjeç, banues në Durrës
Nga hetimet dhe provat e siguruara (përfshirë pamjet filmike), ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur shuma parash në një banesë dhe në një automjet, në fshatin Qerret, Kavajë.
Njëri prej të arrestuarve, shtetasi N. L., me precedent të theksuar kriminal në fushën e vjedhjeve, ishte shpallur në kërkim nga DVP Elbasan. Ai është larguar nga Komisariati i Policisë Elbasan në dhjetor 2024, ku ishte shoqëruar për një vjedhje. Ndaj tij, Gjykata e Elbasanit ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim. Javën e fundit ai dyshohet se është strehuar në banesën e shtetasit G. Gj.
Gjatë operacionit janë sekuestruar një shumë parash, një automjet, tre celularë dhe veshje të përdorura nga autorët gjatë kryerjes së vjedhjeve.
Vijojnë hetimet për të dokumentuar vjedhje të tjera që mund të jenë kryer nga këta shtetas.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
Top Channel