Trump mohon përfshirjen në dosjen Epstein, presidenti: Nëse do ekzistonte diçka inkriminuese, do e kishin publikuar kur kandidova

28/07/2025 16:59

Presidenti amerikan, Donald Trump u pyet të përgjigjej për “dosjet famëkeqe Epstein” gjatë një konference për shtyp me kryeministrin britanik, Keir Starmer.

Kur u pyet nga një gazetar nëse Prokurorja e Përgjithshme duhet ta informojë atë nëse emri i tij shfaqet në dokumentet në fjalë, Trump ishte kategorik: Ai e përshkroi përfshirjen e tij në këtë rast si një “mashtrim” dhe një argument që “ka tejkaluar çdo arsye”.

“Është një farsë, e ekzagjeruar jashtë mase”, theksoi ai, duke ua atribuar trajtimin e çështjes njerëzve që ai i quajti “llumi më i keq në tokë”. Midis atyre që ai akuzoi me emër ishte ish-presidenti Joe Biden.

Trump u përpoq të distancohej plotësisht nga Epstein, duke pretenduar se kishte ndërprerë të gjitha kontaktet me të për vite me radhë.

“Nuk kam folur me të për vite me radhë”, tha ai, duke shpjeguar se arsyeja ishte sjellja e papërshtatshme e Epstein.

“Ai kishte punësuar staf që punonin për mua, i thashë të mos e bënte më. Ai e bëri përsëri dhe e nxora nga vendi. E nxora jashtë dhe kaq ishte”, tha ai.

Presidenti amerikan vazhdoi të mohonte çdo përfshirje në aktivitetet e Epstein në ishullin e tij privat.

“Unë nuk shkova në ishull”, tha ai, madje sqaroi se kishte refuzuar një ftesë përkatëse.

“Shumë njerëz në Palm Beach ishin ftuar. Në një nga momentet e mia të mira, e refuzova. Nuk doja të shkoja”, tha presidenti

Së fundmi, ai këmbënguli se nëse kishte diçka inkriminuese për të, kjo do të ishte bërë publike gjatë kandidimit të tij presidencial.

“Nëse do të kishin diçka për mua, do ta kishin publikuar tashmë kur unë po kandidoja për president”, përfundoi presidenti.

Top Channel