“Sherr për inate personale”/ Vëllai i policit që u konfliktua me kamarierin në Vlorë: Ardiani është goditur nga pronari i hotelit me 15 persona, ka dëmtime

28/07/2025 15:12

Asnjë ndjesë publike nuk shprehu Flamur Isufi, vëllai i oficerit të policisë Ardian Isufi që një ditë më parë në restorantin e një hoteli në Vlorë dhunoi bashkë me mikun e tij, një kamerier që i kishte ngatërruar porosinë, duke çuar në tavolinën e tyre një shishe ujë më tepër.

“Video nuk është e plotë, vëllai ka larguar kamerierin, ai ka vazhduar debatin me personin tjetër personi që ka goditur nuk është vëllai im”, thotë vëllai i Arben Isufit, Flamuri.

Pavarësisht se kamerat e sigurisë së lokalit fiksuan momentin e rëndë, kur oficeri i policisë jashtë shërbimit u përfshi në incidentin fizik me adoleshentin që pasi i shërbeu si kamerier përfundoi i keqtrajtuar prej tij për shkak të keqkuptimit të porosisë, Flamur Isufi ndalet vetëm tek dhuna që u ushtria ndaj vëllait të tij

 “Vëllai im është me shpatull të thyer, fraktura në fytyrë dhe në trup. Është goditur në lokal duke pirë kafe nga pronari dhe nga 15 persona dhe video është hequr, vëllai të mbajë përgjegjësi për gabimet që ka bërë, ata të mbajnë përgjegjësi për gabimet e tyre”, shprehet ai.

Kamerat e sigurisë së lokalit në lagjen pavarësia të qytetit të Vlorës treguan qartë dhunën e ushtruar nga nënkomisari Isufi dhe një shtetas tjetër i identifikuar si Leart bimo. Dy burrat shfaqen duke ushtruar dhunë fizike dhe verbale ndaj 18-vjeçarit, për Flamur Isufi pretendon se e gjithë ngjarja është sqaruar me babain e kamerierit të dhunuar.

“Ka ardhur babai i fëmijës, janë sqaruar dhe janë ndarë si miq, nuk kishte konflikt këtu. Këto janë inate personale se vëllai ka qenë shef qarkullimi në Vlorë. Nëse ka faj të mbajë përgjegjësi për pjesën që i takon”, shton Flamuri.

Pavarësisht dëshmisë kontradiktore të Isufit, në vendngjarje kishte edhe dëshmitarë që konfirmuan se fillimisht oficeri  ka ndërhyrë me tone kërcënuese dhe kontakt fizik me të riun, i cili më pas u dhunua edhe nga ana e Leart Bimos.

Ngjarja ndodhi në prani të klientëve, të cilët, të tronditur, janë larguar menjëherë, duke lënë ambientin bosh.

Ish-shefi i qarkullimit rrugor në Vlorë, së fundmi i caktuar me detyrë si efektiv kufitar në Dibër u pezullua menjëherë nga detyra, ndërsa vetë kryeministri Rama kërkoi përjashtimin e plotë të tij nga radhët e policisë dhe dorëzimin përpara drejtësisë.

Top Channel