
Qindra demonstrues nga grupe rivale marshuan nëpër një qytet anglez të dielën nën masa të rrepta sigurie mes tensioneve për shkak të protestave anti-emigrantë.
Shqetësimi po rritet në Britani se protestat e dhunshme të kohëve të fundit anti-emigrantë mund të paralajmërojnë një verë të re trazirash, një vit pasi Mbretëria e Bashkuar u trondit nga trazirat e saj më të këqija në dekada.
Turma të mëdha protestuesish kundër emigracionit u përplasën me policinë që përpiqej t’i mbante të ndarë nga kundërprotestuesit. Përplasja ndodhi jashtë hotelit “The Bell” në Epping, Essex, pas akuzës së një kërkuesi azili për ngacmim seksual javën e kaluar. Protestuesit anti-emigracion po i kërkojnë Ministrisë së Brendshme të mbyllë hotelin që aktualisht përdoret për strehimin e refugjatëve që kërkojnë azil. Përballë janë protestuesit pro emigrantëve.
“Nëse e keni parë edhe ju atë që ka ndodhur javën e fundit, Reform UK, Nigel Farage, ka përdorur gjuhë dhe u ka dhënë atyre njerëzve mbulim dhe mbështetje protestave. Pra, mendojmë se është e mundur që kjo të jetë zhvilluar dhe të zhvillohet në llojin e dhunës që pamë gushtin e kaluar me trazirat e ekstremit të djathtë. Demonstrata jonë sot po thotë se e djathta ekstreme nuk është e mirëpritur, se ne kundërshtojmë gënjeshtrat e tyre raciste dhe se mendojmë se refugjatët janë të mirëpritur këtu”, u shpreh Lewis Nielsen.
“Pikëpamja jonë është, nëse jeni në Bengazi ose Kabul ose në Bagdad dhe jeni bombarduar, zakonisht nga britanikët dhe amerikanët, atëherë sigurisht që mendoj se duhet të vini këtu për të provuar të ndërtoni një jetë të re për familjen dhe fëmijët tuaj. Ky vend ka nevojë për punë. Ka nevojë për punë në bujqesi, spitale dhe në shkolla. Ata janë të mirëpritur dhe ne jemi vendi i gjashtë më i pasur në botë dhe sigurisht që mund t’i akomodojmë dhe mirëpresim ata”, tha Paul Holborow nga Liga Antinaziste.
“Ne të gjithë jemi njerëz, por si njerëz jemi të aftë t’u shkaktojmë dëm të jashtëzakonshëm të tjerëve, prandaj është përgjegjësia jonë të dalim dhe të themi se kjo ideologji, kjo retorikë që po përdoret edhe nga njerëz në parlament, Keir Starmer, Farage padyshim, është e rrezikshme”, u shpreh studentja Dora Croally.
Protestuesit komentojnë si të frymëzuara nga racizmi dhe ksenofobia protestat e ekstremit te djathtë e cila përpiqet të mbulojnë me akuza për dhunë seksuale nga emigrantët dhe nuk pranojnë të flasin se shumica dërrmuese e grave sulmohen seksualisht në këtë vend nga dikush që e njohin më parë ose një partner, kështu që kjo do të thotë se shumica janë burra të bardhë.
Top Channel