Italia në alarm! Virusi i “Nilit Perëndimor” i merr jetën tre të moshuarve, 16 raste të reja në qarkun e Romës

28/07/2025 19:06

Virusi i Nilit Perëndimor ka marrë një tjetër viktimë në Itali.

Një burrë 77-vjeçar ndërroi jetë në agim në Institutin “Spallanzani” në Romë, ku ishte shtruar pas një përkeqësimi të shpejtë të gjendjes shëndetësore.

Ai kishte kryer një transplant zemre në vitin 2014, vuante nga dështimi kronik i veshkave dhe po trajtohej në Spitalin “San Camillo-Forlanini”.

Burri jetonte në Isola del Liri, në provincën e Frosinones, por dyshohet se është kafshuar nga mushkonja bartëse e virusit në zonën turistike Baia Domizia, në provincën e Casertas.

Ky është rasti i dytë fatal pas vdekjes së Filomena Di Giovangiulio, 82 vjeç, e cila humbi jetën më 20 korrik në spitalin “San Giovanni di Dio”, pasi ishte infektuar gjatë pushimeve në Fondi.

Viktima e parë u regjistrua në rajonin e Kampanias: një 80-vjeçar nga Maddaloni, i cili ndërroi jetë në spitalin “Sant’Anna e San Sebastiano” në Caserta. Ai kishte probleme serioze shëndetësore dhe gjendja e tij u përshkrua si “e kompromentuar” në momentin kur rezultoi pozitiv për virusin.

Rajoni i Lazios ka raportuar 16 raste të reja, duke e çuar numrin total të infeksioneve në 44. Komunat ku dyshohet ekspozimi përfshijnë: Aprilia, Cisterna di Latina, Fondi, Latina, Pontinia, Priverno, Sezze, Sabaudia, Anzio dhe Nettuno.

Autoritetet shëndetësore kanë intensifikuar masat e mbikëqyrjes, veçanërisht për kuajt, të cilët mund të jenë bartës të virusit, në zonat e Roma 5 dhe Roma 6.

Rajoni i Lazios ka shtuar gjithashtu përpjekjet për trajnimin dhe ndërgjegjësimin e punonjësve të kujdesit shëndetësor, përfshirë mjekët e familjes dhe pediatrit, për të përballuar përhapjen e virusit.

Top Channel