
Në takimin e parë mes tyre, joformal, në Skoci, ku ndodhet gjatë një vizite private në fushat e tij të golfit, presidenti amerikan Trump i tha kryeministrit britanik Starmer se, që të mundë Nigel Farage të partisë Reforma, i njohur ndryshe si babai i Brexit-it, ai do të duhet të “ulë taksat, të luftojë emigracionin dhe krimin në Britani”.
I pyetur në klubin e golfit, pronë e tij, se ç’mendim ka për të dy udhëheqësit, Trump tha se i pëlqejnë të dy politikanët, përpara se të jepte këshillat për zgjedhjet e reja pas katër vjetësh.
Nigel Farage momentalisht ndodhet përpara në sondazhet e opinionit publik dhe është i preferuari i kompanive të basteve për të fituar zgjedhjet e reja parlamentare. Të fundit të zhvilluara ishin përpara një viti, ku fituan laburistët e Starmer.
I pyetur për këshillën që mund t’i jepte Starmer për të luftuar krizën e gomoneve, Trump, i cili di pak për këtë çështje – kalime që këtë vit janë rritur me 50 për qind përmes La Manshit – tha se ai e dashuron Britaninë dhe se kontrolli i emigracionit është jetësor.
“Siç e dini, nëna ime ka lindur në Skoci dhe është një vend i mahnitshëm dhe shumë i bukur”, tha presidenti amerikan. “Evropa është një vend shumë ndryshe se ç’ishte përpara 5 apo 10 vjetëve dhe do të duhet ta zgjidhin këtë krizë. Nëse dështoni, nuk do të keni më Evropë dhe nuk mund t’i lejoni të vijnë njerëzit në kontinent ilegalisht”.
Starmer iu referua marrëveshjes me Francën dhe afro 35 mijë riatdhesimeve dhe deportimeve që nga koha kur ka ardhur në pushtet. Ndërkohë, po brenda kësaj kohe kanë mbërritur mbi 40 mijë emigrantë ilegalë dhe një fraksion i vogël syresh besohet se janë të ardhur me gomone.
Këshilla e Trump, kundër mikut të tij Farage dhe pro Sir Keir Starmer, si dhe komplimentet për bashkëshorten e kryeministrit britanik, Lady Starmer, paksa jashtë normales, duket se janë pjesë e ofensivës së Trump për të ruajtur marrëdhënie të shkëlqyera me kryeministrin britanik, si ndërmjetësuesin dhe interlokutorin më të besuar mes dy brigjeve të Atlantikut për shumë sfida ndërkombëtare, mes tyre, padyshim, Ukraina dhe Gaza.
Top Channel