
Interi ka konfirmuar zyrtarisht interesimin për sulmuesin Ademola Lookman, por gjithçka mbetet në pritje të një marrëveshjeje me Atalantën.
Presidenti i klubit zikaltër, Giuseppe Marotta, ka dhënë sinjale të qarta se këto ditë janë vendimtare për të ardhmen e lojtarit nigerian.
“Kjo javë do të jetë vendimtare për marrëveshjen me Lookman,” tha Marotta për mediat italiane. “Jemi në bisedime dhe e duam lojtarin, por njëkohësisht respektojmë Atalantën.”
Sipas tij, Interi ka vendosur një afat të shkurtër për të finalizuar marrëveshjen. “Brenda 2-3 ditësh shpresojmë të ecim përpara dhe ta përmbyllim marrëveshjen, përndryshe do të fokusohemi te objektiva të tjerë,” tha ai.
Ademola Lookman ka qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm për Atalantën në sezonet e fundit, ku spikati me paraqitje të shkëlqyera, përfshirë edhe tripletën në finalen e Europa League 2024 ndaj Bayer Leverkusen, që i dha ekipit bergamask titullin europian.
Interi ka shfaqur interes konkret prej javësh, por pengesa kryesore mbetet marrëveshja financiare me Atalantën, që nuk është e gatshme të heqë dorë lehtësisht nga një prej yjeve të saj.
Në sfond, Marotta nuk përjashton as alternativa të tjera nëse bisedimet nuk japin rezultat, ndërsa Interi kërkon të përforcojë repartin ofensiv për sezonin e ardhshëm dhe Lookman shihet si profili ideal për të sjellë shpejtësi, teknikë dhe gola.
Top Channel