Bashkëpunimet me arkitektët ndërkombëtarë, Rama: Stazh perfekt për studentët tanë! Nuk mund të mbështetemi më te kleringu, as te shitja e apartamenteve në gropë

28/07/2025 21:55

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me përfaqësues të sektorit të ndërtimit në Qendrën për Inovacion dhe Teknologji “NEST”, një strukturë e Fondit Shqiptar të Zhvillimit që u shërben edhe universiteteve dhe sipërmarrjes.

Ai foli për bashkëpunimet me arkitektët ndërkombëtare, që i cilësoi si një stazh shumë të mirë për studentët e arkitekturës në vendin tonë.

“Projektet me arkitektët e huaj kanë ngjallur një interesim shumë të madh botërisht, i cili tani ka filluar të shtrihet edhe në fushën e investitorëve. Nuk është më një interesim kulturor ose një interesim thjesht i komunitetit të arkitektëve bashkëkohorë në botë, por është një interesim i investitorëve.

Mirëpo, nga një anë është besueshmëria e arkitektëve, por nga ana tjetër është besueshmëria e vetë projektit për t’u realizuar, ashtu siç e ka paraparë arkitekti dhe jo për t’u marrë leja me projektin e arkitektit dhe pastaj për të përfunduar në fund një projekt që as arkitekti vetë nuk e njeh më si projektin e vet dhe ky është një problem që ne e kemi sot, po e kemi sot të shtruar në tryezë. Si do të arrijmë që projektet t’i realizojmë besnikërisht? Sepse bëhet gjithë ajo punë e madhe nga arkitektët, bashkë me natyrisht bashkë me investitorët dhe me ndërtuesit. Bëhet gjithë ajo punë për t’i filtruar dhe për t’i kaluar në procesin e aprovimit, jepet leja dhe pastaj gjëja shkon në një drejtim të paditur, në një pjesë shumë të madhe të rasteve. Në një drejtim të paditur, ku unë nuk po diskutoj këtu detaje të vogla, po diskutoj deri në volumet që ndryshojnë”.

Nuk mund të mbështetemi më te kleringu apo shitja e apartamenteve në gropë, tha Rama, duke theksuar se ka shumë mundësi për të pasur akses në forma të tjera financimi.

Këtu natyrisht, që nga një anë është detyra jonë që të adresojmë këtë problematikë përmes masave të reja ligjore, që patjetër do të përfshijnë arkitektin si personi garant i projektit, që mban përgjegjësi morale dhe ligjore për realizimin e projektit. Por, nga ana tjetër, kjo nuk është çështje thjesht masash ligjore, por çështje vetëdijeje nga ana e investitorëve dhe ndërtuesve për të aksesuar këtë treg komplet të ri financiar, që mund të bëhet një burim shumë i shpejtë, shumë i thjeshtë, shumë i konsiderueshëm të ardhurash në mënyrë që ndërtimi të mos bazohet tek parashitja dhe të mos bazohet tek kleringu, sepse janë dy forma që ishin të kuptueshme dhe të pranueshme për një periudhë të caktuar kohe, por nuk mund të jenë më as të kuptueshme, as të pranueshme sot, kur mundësitë janë për të pasur akses në forma të tjera financimi.

Në një farë mënyre edhe kjo formulë investimi që u shpjegua këtu, është një parashitje, por është një parashitje e bazuar tek garancia e investimit, që ta jep fakti se ke menjëherë në dispozicion likuiditet për të ecur pa u angazhuar dhe pa angazhuar njerëz që në gropë, por duke angazhuar financim, pra faktikisht duke pasur krahët të mbuluar me financim dhe duke arritur që të shtosh vlerën e produktit tënd final, që tjetër është kur e shet në gropë, tjetër është kur e shet në fund. Se ne kemi parë se si ka ndodhur që apartamentet blera në gropë rishiten nga ata që i kanë blerë në gropë, kur ka mbaruar puna dhe rishiten me një çmim shumë më të lartë që e fiton ai që ka blerë në gropë, nuk e fiton ai që ka ndërtuar dhe kjo në aspektin tonë, flas në aspektin e interesit publik ka të bëjë me cilësinë dhe kohën në cilën realizohen projektet, sepse një gjë që unë e dëgjova në prezantimin e mëparshëm, por nuk e thanë sot se kishin emocione përpara gjithë këtyre peshkaqenëve, ata peshqit e vegjël që folën,  është koha.

Ata investitorët institucionalë duan kohën, duan të dinë kohën. Pra, nuk mund t’i japësh një projekt për një godinë në Tiranë dhe pastaj projekti të marri dhjetë vjet për t’u realizuar, nuk funksionon. Ata duan të dinë kur fillon, kur mbaron dhe çfarë kapacitetesh ka për ta filluar dhe mbaruar në kohë. Është shumë e rëndësishme koha.

Natyrisht, këtu pastaj përfshihen faktorë të tjerë që kanë të bëjnë me kapacitetet ndërtimore të kompanive me krahun e kualifikuar të punës që ju e dini, është bërë shumë i çmuar dhe nevojat shtohen. Dhe për këtë duhet parë mundësia e krijimit të sinergjive me kompani ndërkombëtare edhe ndërtimi për të fituar përmes kohës atë që faktikisht nuk e humbet në dukje, por e humbet nga kohëzgjatja e paarsyeshme e një projekti.

Për ne, nga ana jonë është shumë e rëndësishme që kjo bazë e re që kemi krijuar me këtë rrjet arkitektësh ndërkombëtarë që kështu të koncentruar në një vend nuk e ka asnjë vend, kjo është e vërteta, të jetë baza e një zhvillimi të ri në të gjitha aspektet, sepse siç kush ka punuar dhe punon me ta e ka parë, nuk është çështja thjeshtë e marrjes së një arkitekti, e jo të një tjetri, por është çështja e sjelljes së një kulture komplet tjetër të të parit të gjërave, e një kulture pune komplet tjetër nga ajo që mësohet pa praninë e tyre, e një shkollë të jashtëzakonshme për të gjitha qytetet tona lokalë, që duke punuar me këta mjeshtra marrin zanatin, jo më nga bankat e shkollës dhe as e ushtrojnë zanatin me photoshop-et që bëjnë çdonjërin t’i duket vetja se është arkitekt i madh, por nga ata që punojnë në kohë reale me projektin. Për të shkuar dhe për të bërë një stazh në studiot e atyre arkitektëve është e pamundur faktikisht. Është ëndrra e çdo studenti në Europë dhe në Amerikë që të mund të bëjë një stazh në studion e tyre.

Ndërkohë që ne kemi krijuar kushtet që të gjitha studiot e arkitektëve tanë lokalë të zhvillojnë një stazh real, në kohë reale dhe unë jam i bindur që nga kjo që po ndodh sot në 5 – 10 vitet e ardhshme, Shqipëria pa diskutim do të ketë një, dy të paktën emra të mëdhenj në arkitekturën botërore, sepse Shqipëria ka talente, por shkolla jonë e arkitekturës nuk është për ta thënë me fjalë të buta, ndër më të mirat në Europë dhe, edhe sikur të ishte atë që e mëson në praktikën e përditshme, duke punuar me investitorë, duke punuar me ndërtues, duke punuar me projekte të këtyre përmasave, të këtyre ambicieve, nuk e mëson kurrë në bankat e shkollës dhe nuk e mëson kurrë në jetë pa pasur këtë shans të madh që të punosh me njerëz që kanë këto lloj cilësish edhe që kanë këto lloj skuadrash.

Nga ana tjetër, është detyra jonë e përbashkët që këta njerëz t’i mbajmë lidhur me vendin tonë, sepse është një kapacitet i jashtëzakonshëm, një kapital i jashtëzakonshëm njerëzor që është akumuluar dhe do t’i mbajmë të lidhur, duke punuar besnikërisht me ta. Duke mos e tradhtuar atë dëshirë, edhe gjithë atë energji dhe atë punë që ata bëjnë për projektet këtu, duke devijuar nga projektet që përtej faktit që është një shkelje e ligjit, është edhe një shqelm që i jepet një krijese që ka potencial të jashtëzakonshëm për Shqipërinë.

Nëse ne do të arrijmë t’i realizojmë ato projekte besnikërisht, Shqipëria do të bëhet destinacion nga më të rëndësishmit në Europë për turizmin arkitektonik. Një godinë bëri Bilbao dhe ndryshoi ekonomia e atij qyteti. Nëse ne arrijmë që projektet që kemi futur në proces t’i realizojmë, po ju them, që do të jetë një gjë e jashtëzakonshme për kulturën, për trashëgiminë, po edhe për ekonominë tonë.

Po përfundojmë në ndërkohë edhe qendrën e monitorimit me dronët të integruar së bashku me satelitët dhe edhe kjo do të na japë mundësi që të ndjekim në kohë reale të gjitha zhvillimet në territor, por do ju sugjeroja që të shikoni disa gjëra që bëhen në këtë godinë për të pasur një sens të nevojës që kompanitë tuaja, se përgjithësisht këtu besoj janë kompani të mëdha të angazhojnë edhe një ekip për kërkimin dhe për inovacionin, është i domosdoshëm. Duket sikur është një para e hedhur kot, po është para e hedhur më plotë se çdo gjë tjetër“.

Top Channel