
Një shtetas portugez është shpallur i zhdukur pasditen e së dielës në zonën e lagunës pranë “Bukës së Vivarit” në Sarandë.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:00 të datës 27 korrik 2025, kur shtetasi portugez A. G., 57 vjeç, që po pushonte me disa miq të tij, është futur në det për të notuar dhe nuk është parë më që nga ai moment.
Menjëherë pas sinjalizimit, shërbimet e Policisë Kufitare Sarandë, në bashkëpunim me patrullat nga toka, kanë nisur kërkimet në det dhe në zonat përreth bregut për të lokalizuar shtetasin e huaj.
Ndërkohë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor pranë Komisariatit të Policisë Sarandë, i cili po punon për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.
Autoritetet vijojnë operacionin në terren, ndërsa deri më tani nuk raportohet për ndonjë gjurmë të të zhdukurit.
Top Channel