
Grupet humanitare që ofrojnë ndihma në Gaza përballen me një rrugë të rrezikshme përmes Rripit të shkatërruar nga lufta, madje edhe gjatë pauzave të luftimeve, sipas Kombeve të Bashkuara.
Karvanet e ndihmave janë drejtuar drejt enklavës palestineze të dielën, pasi Izraeli njoftoi se do të krijojë korridore për dërgesat humanitare dhe do të zbatojë “pauza taktike” në luftimet për disa zona me popullsi të dendur.
Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare ka përshkruar pengesat potencialisht të rrezikshme me të cilat përballen grupet në një dokument online, duke përfshirë:
-Kërcënime ndaj punonjësve të ndihmës dhe rrugëve të caktuara, OCHA (Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare) thotë se një “prishje e rendit ligjor” për shkak të “rënies së forcës policore civile” në Gaza i shton problemet e sigurisë në kalime.
-Vonesa ose mohime të ofrimit të ndihmës nga ushtria izraelite: Agjencia e OKB-së vëren gjithashtu se Forcat e Mbrojtjes së Izraelit mohojnë ose vonojnë rregullisht lëvizjet e koordinuara për ofrimin e ndihmës. “Burimet shpërdorohen rregullisht pasi konvojet kalojnë orë të tëra duke pritur dritën jeshile për të lëvizur vetëm për t’u mohuar, duke kufizuar kapacitetin operacional që mund të kishte mbështetur pjesë të tjera të reagimit gjatë kësaj kohe“, tha OCHA.
-Mundësi të kufizuara rrugësh: “Kur OKB-ja përcakton se një rrugë është e pasigurt ose me rrezik shumë të lartë plaçkitjeje, mungon alternativa e miratuar nga autoritetet izraelite”, thotë OCHA, duke shtuar se shumica e rrugëve përmes enklavës janë “të papërshtatshme, ose të pakalueshme për konvoje të gjata kamionësh, që kalojnë nëpër tregje të mbushura me njerëz, ose të kontrolluara nga banda të rrezikshme”.
-Rrugë të dëmtuara: “Përafërsisht 68 përqind e rrugëve në Gaza janë të dëmtuara. Mbipopullimi i njerëzve në Guvernatorët Jugorë po kufizon gjithashtu aftësinë e furnizimeve humanitare për të lëvizur brenda rripit”, sipas OCHA-s.
OCHA propozoi lejimin e hyrjes së më shumë mallrave bazë nga sektori privat në Gaza, duke thënë se “ndihma humanitare nuk mund të mbështesë një popullsi prej mbi 2 milionë banorësh”.
OKB-ja tha gjithashtu se vizat për në Gaza për punonjësit e ndihmave duhet të lëshohen më shpejt për të rritur numrin e personelit.
Top Channel