“Nuk jemi as grekë, as bullgarë e as serbë”/ Kryeministri maqedonas vizitë në Pustec: Vij këtu si vëlla

27/07/2025 20:29

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristian Mickoski, vizitoi Pustecin në juglindje të Shqipërisë, ku mori pjesë në një festival folklorik të komunitetit maqedonas.

Gjatë fjalimit përpara banorëve, Mickoski theksoi rëndësinë e ruajtjes së identitetit kombëtar dhe premtoi mbështetje të vazhdueshme nga shteti maqedonas.

“Sot, kur qëndroj përpara jush, nuk flas vetëm si Kryeministër i Qeverisë, por flas si një njeri që beson se një komb përbëhet pikërisht nga kjo, lidhja mes njerëzve që e ndjej si timen, pa dallim se ku jetojmë. Edhe kur jemi afër, edhe kur jemi larg, qoftë në atdhe apo jashtë tij, ndjenja, identiteti, përkatësia, të gjitha bëhen një. Vendi juaj në këtë histori është i veçantë, jo vetëm sepse gjeografikisht jemi në shtete të ndryshme, por sepse ju jeni thellësisht në zemrën e atdheut tonë. Ju jeni sinonim i qëndrueshmërisë, i besnikërisë së heshtur, i dinjitetit dhe i përulësisë së njëkohshme. Edhe kur askush nuk ju pyeti, edhe kur askush nuk ju përmendi, ju mbetët ata që jeni. Dhe mbetët besnikë ndaj shtetit në të cilin jetoni.

Gjatë dekadave të fundit shumë gjëra janë ndryshuar, politika, qeveri, kufij, por ju qëndruat të palëkundur. Këtu, gjuha maqedonase nuk ruhet si zakon, por trashëgohet me dashuri. Këtu, kënga, zakonet, kujtimet janë pjesë e jetës suaj të përditshme. Pikërisht për këtë ndjehet një respekt i thellë kur dikush vjen këtu, jo nga formaliteti, por nga bindja e sinqertë. Më vjen keq që propaganda që ka ndjekur maqedonasit ndër histori nuk ju ka kursyer as ju. Ju jetoni këtu, i nderoni këto troje, i jetoni këto troje. Përmes zëvendësimesh, përmes presionesh, përmes ndalesash, kanë tentuar të tronditin atë që është e juaja, por ju mbetët të palëkundur.

Ju keni folur, keni dëshmuar, keni jetuar përmes pengesave, përmes trysnive, përmes rezistencës së heshtur për të mbrojtur atë që është e juaja. Keni mësuar më shumë përmes dhimbjes, sepse nuk jeni përkulur, nuk keni pranuar harresën e rehatshme, nuk jeni turpëruar nga vetvetja. Mos i lejoni askujt t’jua përcaktojë identitetin në vendin tuaj.

Dhe prandaj, vëllezër dhe motra të dashur, Maqedonia ju përkulet. Thuhet se një shtet e tregon pjekurinë e vet përmes mënyrës se si sillet me ata që nuk janë në qendër. Ne sot duam të tregojmë se po mësojmë shtetndërtimin. Pra, duam të vendosim një marrëdhënie të re me ju. Ka të ardhme për çdo fëmijë që mëson në gjuhën amtare. Për çdo familje që dëshiron të qëndrojë këtu. Për çdo të ri që beson se ia vlen të qëndrosh vetja në vendin tënd.

Prandaj si qeveri, si qeveri maqedonase, kemi përgjegjësi të jemi mbështetje, mbështetja juaj. Në arsim, në kulturë, në zhvillim ekonomik, në të gjitha format e bashkëpunimit ndërkufitar. Jo si mëshirë, por si detyrim. Jo sepse dikush na bën presion, por sepse besojmë se kjo është e drejta. Këtë fazë të re duam ta shohim si vëllezër e motra , për nga gjaku, për nga identiteti, për nga gjuha. T’ju dëgjojmë zërin, të punojmë së bashku, të jemi të pranishëm. Dhe secili që jeton këtu ta dijë se nuk është vetëm. Dua që fshati Pustec të rritet me ndjenjën e përkatësisë, që nuk bazohet në frikë, por në vetëbesim. Dua që çdo prind këtu ta dijë se ka vlerë t’i mësojë fëmijës së vet gjuhën amtare. Dua të krijojmë kushte që këtu të jetohet më mirë, jo me fjalë boshe, por me rezultate të dukshme.

Ky nuk është takimi i fundit. Kjo është një fillim i ri dhe i pari nga shumë të tillë. Sepse puna jonë tani sapo ka filluar. Ne jemi këtu jo vetëm për të folur, por për një lidhje që do të ndërtohet çdo ditë, me projekte, me programe, me politika që do të arrijnë deri te ju, ashtu siç sinqeriteti juaj arriti te ne. Përmes përkatësisë sonë kombëtare, Pusteci është dëshmi se përkatësia nuk fshihet, se rrënjët mbeten edhe kur na fryjnë erëra të forta, dhe se ekzistojnë njerëz që nuk presin falënderime, por vetëm mundësi për të vazhduar atje ku të tjerët do të dorëzoheshin.

Ju faleminderit që e mbani atë heshtje të mbushur me forcë. Ju faleminderit që mbeteni vetvetja. Ju premtoj se ky shtet do të dijë t’ju përshëndesë me respekt, me punë dhe me mbështetje të vazhdueshme. Të jetojë secili që me dinjitet ruan identitetin e vet. Të jetojë atdheu që nuk njeh kufij, por vetëm vlera të vërteta.

Kohët e fundit jemi dëshmitarë të përpjekjeve për të na mohuar, për të na unifikuar me zor, për të na bërë “modernë”, për të na fshirë, për të vënë në dyshim gjithçka që është maqedonase. Por ajo që shoh sot këtu para meje, në Pustec, dhe ajo që ndjej, për mua është një burim i madh frymëzimi për të vazhduar më tej, për të përkrahur maqedonasit kudo në botë dhe për të treguar se ne jemi maqedonas, me një identitet maqedonas shumë shekullor e të veçantë, që flasin gjuhën amtare maqedonase, të ndryshme nga të gjitha gjuhët e tjera të Ballkanit. Ne jemi maqedonas krenarë, kemi qenë dhe do të mbetemi gjithmonë maqedonas.

E di që keni qenë qytetarë besnikë dhe të ndershëm të Republikës së Shqipërisë, por dua ta dini se në mua, si Kryeministër i Qeverisë së Maqedonisë, keni një vëlla, një mik, i cili, për sa kohë është gjallë dhe sa kohë e kryen këtë detyrë të nderuar, është këtu për ju dhe i gatshëm t’ju ndihmojë për gjithçka që mendoni se Qeveria e Maqedonisë mund të bëjë për ju.

Maqedonia, pas shumë viteve të stanjacionit, pas 7 vitesh poshtërimi kombëtar dhe grabitjes nga politikanë që, për fatin tonë të mirë, tani janë pjesë e së kaluarës, po përjeton një rilindje, si në aspektin ekonomik, ashtu edhe kombëtar, gjatë këtyre 13–14 muajve. Dhe nuk do të ndalemi këtu, do të vazhdojmë përpara! Do të luftojmë për secilin prej jush. Të tregojmë se ne nuk jemi as grekë, as bullgarë, as serbë, ne jemi maqedonas. Maqedonas në Shqipëri dhe kudo në botë.

Ju faleminderit për gjithçka që bëni për popullin maqedonas dhe për Maqedoninë. Prëspe, Zoti të bekoftë! Faleminderit!”.

Top Channel