Në luftë me kancerin prej pesë vitesh, ndahet nga jeta në moshën 15-vjeçare djali i ish-portierit të Romës

27/07/2025 21:53

Një lajm i trishtë ka tronditur botën e futbollit. Enzo, djali 15-vjeçar i Julio Sergio-s, ish-portierit të Romës dhe Lecce-s, ka ndërruar jetë pas një lufte pesëvjeçare me kancerin.

Vetëm pak orë më parë, vetë Julio Sergio ndau përmes rrjeteve sociale një përditësim të dhimbshëm nga spitali, ku shkruante: “Situata është e pakthyeshme. Enzo është në koma të induktuar, i qetësuar dhe me oksigjen sipas nevojës. Por gjëja më e rëndësishme është se ai është në paqe, i rrethuar nga ne të gjithë dhe pa dhimbje.”

Djali kishte lindur në Romë, në periudhën kur Sergio mbante veshur fanellën verdhekuqe (2006–2013). Gjatë viteve të fundit, Enzo ishte bërë një simbol i kurajës, duke frymëzuar shumë të rinj në Brazil, ku u kthye pas aventurës së të atit në Itali.

Pas një operacioni të suksesshëm në vitin 2022, ai u kthye në zëdhënës të fushatës ndërgjegjësuese për luftën ndaj kancerit, duke marrë mbështetjen publike të ikonavë si Buffon, Totti dhe Cristiano Ronaldo.

Vetë Julio Sergio, në një moment të ngarkuar emocionalisht, ishte filmuar duke rruar kokën në shenjë solidariteti me djalin, në prag të një raundi të ri kimioterapie.

Roma dhe tifozët e saj, por edhe komuniteti sportiv në tërësi, i qëndruan pranë Enzos gjatë kësaj beteje të gjatë dhe të dhimbshme, me mesazhe, pankarta dhe duartrokitje që e shoqëronin në çdo hap.

Humbja e Enzos është një goditje e rëndë jo vetëm për familjen Sergio, por për të gjithë ata që e njohën për guximin, buzëqeshjen dhe forcën për të luftuar deri në fund. Ai u nda nga jeta, por la pas një trashëgimi të fortë dashurie dhe shprese.

 

 

Top Channel