
Gjatë masës së sigurisë me dyer të mbyllura, prokurori Adnan Xholi konfirmoi edhe njëherë për gjykatën qëndrimin e tij për të lënë në burg të dyshuarit e radhës, të cilët cilësohen si një grup ndërkombëtar, të cilit vetëm gjatë vitit 2020 iu bllokuan 6 tonë kokainë që në treg vlente gati 411 milionë euro.
Pasi ka dëgjuar palët, gjyqtari Erjon Bani la në arrest në burg pesë prej tyre, ndërsa Ilir Lloshaj u lirua pasi rezultoi se ishte arrestuar gabimisht, dhe se duhej prangosur një shtetas tjetër me të njëjtin emër dhe mbiemër, që jeton po në qytetin e Elbasanit dhe që është në kërkim tashmë.
Në seancë, prokurori shpjegoi se emrat e 7 të dyshuarve dolën nga aplikacioni SKY ECC, që në këtë rast ishte veçuar më herët si episod i tretë prej fashikullit mëmë, prej nga ku më herët janë veçuar emrat e protagonistëve të cilët planifikuan të vrisnin prokurorin Arjan Ndoja.
E ndërsa dosjet e SKY ECC vetëm për këtë fraksion po nxjerrin emra trafikantësh, bëhet me dije se hetimet po vijojnë ende edhe për shtetas për të cilët është hapur fraksioni i radhës.
Një i shtatë, identifikuar si Elidon Skëndaj, është ende në kërkim dhe besohet se jeton në Dubai.
Prokurori Xholi tha në seancë se droga dërgohej nga Kolumbia dhe Ekuadori, duke u transportuar me kontejnerë drejt porteve të Belgjikës dhe Holandës ose drejt Francës dhe Anglisë.
Më herët, dy prokurorët e çështjes, Xholi dhe Dumani, deklaruan përmes zyrës së shtypit se struktura e grupit ka shtrirje në disa kontinente dhe anëtarësimi i 16 personave në grup dëshmon, sipas tyre, sofistikimin e grupit.
SPAK thotë se ka zbuluar hierarkinë drejtuese, financuesit dhe bashkëpunëtorët, mes tyre kompani eksporti që kontraktonin shoferë rumunë që transportonin lëndë drusore e kakao, ku ishin fshehur ngarkesa kokainë.
Top Channel