
Një zjarr masiv përfshiu dje një sipërfaqe të madhe në zonën e mbrojtur të Malit me Gropa, brenda Parkut Kombëtar të Dajtit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në mjedis.
Si pasojë e hetimeve të shpejta nga Policia e Tiranës, u identifikua dhe u vu në pranga autori i dyshuar i zjarrvënies, një 63-vjeçar me banim në Fushë-Stanë, i cili dyshohet se ndezi zjarr gjatë punës si bari, duke shkaktuar djegien e rreth 600 hektarëve kullota dhe bimësi natyrore.
Pas njoftimit të marrë se në vendin e quajtur “Mali me Gropa” kishte rënë zjarr, shërbimet përkatëse kanë shkuar menjëherë në vendngjarje.
Si rezultat i veprimeve hetimore dhe operacionale, të kryera menjëherë pas ngjarjes, specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 4 bënë të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar, shtetasit B. H., 63 vjeç, banues në Fushë-Stanë.
Nga hetimet paraprake rezulton se ky shtetas dyshohet se gjatë punës si bari në zonë, ka ndezur zjarr në një sipërfaqe kullotë, në vendin e quajtur “Fushë Stanë”, në zonën e Malit me Gropa, i cili, i favorizuar nga era e fortë dhe temperaturat e larta, ka sjellë si pasojë djegien e rreth 600 hektarëve tokë me kullota dhe bimësi të ndryshme, në zona të tilla si lugina e Grykës së Mullinit, Qafa e Qershisë, të cilat ndodhen brenda kufijve të Parkut Kombëtar të Dajtit, që bën pjesë në Zonat e Mbrojtura Natyrore.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë apelon për të gjithë qytetarët që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, as me qëllim dhe as nga pakujdesia, pasi do të përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 çdo rast të kësaj veprimtarie kriminale apo të paligjshmërive në tërësi, duke iu garantuar anonimat, reagim të shpejtë dhe të paanshëm.
Top Channel