Sot prova e fundit në Kosovë! Parlamenti do të mblidhet dy orë para skadimit të afatit në mesnatë

26/07/2025 20:12

Deputetët e zgjedhur më 9 shkurt kanë dështuar edhe një herë të konstituojnë Kuvendin e Kosovës, këtë të shtunë.

Skenari i njëjtë u përsërit për të 53-tën herë, ku Lëvizja Vetëvendosje insistoi në votimin e fshehtë e kjo nuk u përkrah nga partitë që deri tani ishin në opozitë.

Seanca konstituive u ndërpre e për të shfrytëzuar maksimalisht pak orët e mbetura në afatin 30 ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, deputetë do të mblidhen mbrëmjen e 26 korrikut edhe një herë.

“Në kuadër të përpjekjeve për themelimin e Kuvendit të Kosovës, takohemi sonte në orën 22:00. Pas ndërprerjes së këtij vazhdimi, partitë e tjera, përveç Lëvizjes Vetëvendosje, vazhduan “seancën protestë”, nën drejtimin e Sala Jasharit, deputetes më të re të Kuvendit e partitë shprehën pakënaqësitë me situatën”, tha Avni Dehari-kryesues i seancës konstituive.

“Mentaliteti autoritar dhe i diktatit që Albin Kurti po tentoj ta instalojë edhe në këtë Kuvend të Kosovës ka marrë fund dhe nuk do ta lejojmë që të kalojë”, u shpreh Memli Krasniqi-deputet, PDK.

“Nga dje e kemi ditur se do të takohemi sot dhe e keni parë që është raportuar se nuk ka asnjë lloj përpjekje, as sot nuk ka asnjë lloj përpjekje, është hipokrizi që të ftohemi në orën 22:00 duke e ditur paraprakisht rezultatin”, tha Hykmete Bajrami-deputete, LDK.

“Shihet qartë se Kurti po e shfrytëzon edhe emrin e Albulena Haxhiut, jo pse ndoshta insiston se ajo është zgjidhje por mendoj që e ka qëllim me e çu deri në pafundësi këtë situatë. Shihet qartë se nuk i ka numrat”, u shpreh Daut Haradinaj-deputet, AAK.

Pritej që para skadimit të afatit 30 ditor, Lëvizja Vetëvendosje e NISMA Socialdemokrate të lidhnin marrëveshje politike për të zgjidhur ngërçin, porse duket se një gjë e tillë nuk ndodhi as në seancën e parë të së shtunës.

“Kjo gjendje ka mujt mos me ardhë ku ka ardhë tash e sa muaj u bënë. Besoj që ndoshta është mirë që të gjithë deputetët të presim aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha Fatmir Limaj-deputet, NISMA.

Deputetët e zgjedhur nuk do të mund të mblidhen në seancë konstituive pas 26 korrikut, pasi Gjykata Kushtetuese ka vendosë masë të përkohshme ku e pezullon çdo veprim a vendim në drejtim të konstituimit të Kuvendit.

Masa do zgjasë nga 27 korriku deri më 8 gusht, kur pritet që Kushtetuesja të dalë me vendim përfundimtar që i jep zgjidhje bllokadës së krijuar nga 15 prilli.

Top Channel