U kap ‘mat’ duke u përqafuar me eprorin në koncertin e Coldplay, drejtoresha e burimeve njerëzore të “Astronomer” jep dorëheqjen

25/07/2025 11:01

Drejtoresha e Burimeve Njerëzore të kompanisë amerikane të teknologjisë, “Astronomer”, Kristin Cabot, ka dhënë dorëheqjen nga detyra, pasi u filmua duke përqafuar ish-CEO-n e kompanisë në një koncert të Coldplay.

Ky vendim vjen pas largimit të Andy Byron, ish-drejtorit ekzekutiv të Astronomer, i cili dha dorëheqjen javën e kaluar, pasi kompania njoftoi se ai do të pezullohej përkohësisht dhe do të hetohej.

Pamjet u kapën nga kamera e famshme “kiss cam”, ku Byron dhe Cabot shihen duke u përqafuar, përpara se të kuptonin që po transmetoheshin në ekran dhe të përpiqeshin të fshiheshin.

Chris Martin, vokalisti i Coldplay, komentoi në skenë “Oh, shikoni këta të dy.”

Menjëherë pas kësaj, Byron duket sikur largohet shpejt, duke ulur duart nga Kambot dhe fshihet pas barrierës, ndërsa ajo, dukshëm e sikletosur, mbuloi fytyrën me duar.

Publiku shpërtheu në të qeshura, ndërsa Martin vazhdoi me humor: “Ose janë në lidhje, ose janë shumë të turpshëm.”

Ngjarja u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale, duke u kthyer në objekt memesh dhe ironie online.

Top Channel