
Georges Abdallah, një 74-vjeçar libanez dhe figurë simbolike e krahut të majtë pro-palestinez, do të lirohet nga burgu francez pas 41 vitesh izolim.
Abdallah, i dënuar për bashkëpunim në vrasjen e një diplomati amerikan dhe një izraeliti në vitet 1980, pritet të dëbohet menjëherë drejt Libanit, nëpërmjet një fluturimi për në Bejrut.
I burgosur që nga viti 1984 dhe i dënuar me burgim të përjetshëm në 1987, Abdallah është konsideruar nga mbështetësit e tij si i burgosuri politik më jetëgjatë në Francë për një çështje të lidhur me konfliktin izraelito-palestinez.
Gjykata e Apelit këtë vit vendosi se burgimi i tij ishte bërë “joproporcional” dhe se ai nuk përbënte më rrezik për shoqërinë, duke hapur rrugën për lirimin dhe dëbimin e tij.
Abdallah ishte një nga themeluesit e Fraksioneve Revolucionare të Armatosura Libaneze (LARF), një grup marksist që synonte objektiva izraelite dhe amerikane në Evropë gjatë viteve ‘80.
Në atë kohë, Libani ishte i përfshirë në luftë civile dhe sulmet e grupit të tij u lidhën me tensionet mes Izraelit dhe Palestinës.
Ai u arrestua në Lyon dhe fillimisht akuzohej vetëm për falsifikim pasaportash, por më vonë u zbulua një arsenal armësh në apartamentin e tij, përfshirë edhe armën që u përdor për të vrarë diplomatët.
Pavarësisht se që nga viti 1999 plotësonte kushtet për lirim me kusht, kërkesat e tij u refuzuan disa herë, në pjesë të madhe për shkak të presionit nga SHBA-të dhe Izraeli.
Në vitin 2013, një letër e Hillary Clinton drejtuar autoriteteve franceze, e bërë publike nga WikiLeaks, kërkonte pengimin e lirimit të tij. Ndërkohë, personalitete të shumta të majta, përfshirë shkrimtaren fituese të Nobelit Annie Ernaux, kanë bërë fushatë për lirimin e tij.
Përkrahësit e Abdallah-ut e shohin atë si një simbol të qëndresës ndaj imperializmit dhe mbështetjes së kauzës palestineze. Ai njihet për afërsinë me ideologjinë marksiste-leniniste dhe për praninë e portreteve të figurave si Che Guevara në qelinë e tij. Tre bashki franceze i kanë dhënë atij titullin “qytetar nderi”, ndërsa protestues të së majtës organizonin rregullisht demonstrata për lirimin e tij.
Top Channel