Rrëmbimi dhe zhdukja e Jan Prengës/ Apeli i Posaçëm dënon me burgim të përjetshëm kopshtarin Festim Bexhdili

25/07/2025 11:46

Apeli i Posaçëm dënon me burgim të përjetshëm kopshtarin Festim Bexhdili, i përfshirë në rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës.

Siç raporton gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, Gjykata e Posaçme e Apeli konsideroi pretencën e prokurores Elida Kackini e cila u bë në seancë të mëparshme dhe kërkoi dënimin me burg të përjetshëm të Bexhdilit.

Në këtë seancë prokurorja tha: Ne vlerësojmë që vendimi i GJKKO që është dhënë për Festim Bexhdilin duhet të lihet në fuqi si vendim i mbështetur në ligj dhe prova. I pandehuri duhet të deklarohet fajtor sa i përket veprave penale që kemi ngritur për të. I pandehuri është gjendur në kompleks, referuar pamjeve filmike, në orën 11:19 dhe shkon në drejtim të një garazhi dhe më pas shfaqet duke pasur një vëmendje të shtuar ndaj aparatit celular. Ai shfaqet duke pritur në derën hyrëse të garazhit. Në këtë derë më pas futet makina Audi A6 që i përket Altin Hajrit. Kjo mënyrë ndërveprimi, tregon që ata kanë pasur dijeni dhe secili prej të pandehurve drejtohet drejt kompleksit.

Në mënyrë të paprecedentë gjatë kësaj pretence, prokurori tjetër Behar Dibra kishte kërkuar ndryshe nga kolegia 20 vjet burg për Bexhdilin. Të dy qëndrimet e ndara të prokurorëve u shqyrtuan nga Apeli që në fund dha burg të përjetshëm.

Top Channel