Prezantohet drafti i Kodit të ri Penal, Manja: Janë bërë 30 ndërhyrje, ka 327 nene! Pas Brukselit, do t’i kalojë Kuvendit

25/07/2025 10:46

Drafti i Kodit të ri Penal është prezantuar këtë të premte, ndërsa i pranishëm ishte edhe ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja.

Janë bërë 30 ndërhyrje, theksoi ministri, i cili shtoi se kodi i ri parashikohet të jetë me 327 nene, në krahasim me atë aktualin i cili ka 285 nene e 550 paragrafe.

“Kodi është aktual funksional që në vitin 1995, kodi i ri nuk është një çështje politike, por e një shoqërie që evoluon dhe integrohet. Kodi aktual kishte 285 nene e 550 paragrafe dhe aktualisht  janë bërë 30 ndërhyrje dhe ka 327 nene. Kodi i ri baze ka kushtetutën e vitit 1998. Procesi i integrimit kërkon kod penal me atë të Bashkimit Evropian. Grupi i punës nisi nga z.Rakipi në vitin 2019. Drafti nuk është produkt i qeverisë apo Ministrisë së Drejtësisë. Ne kemi rol organizues e mbështetës, autorësia dhe produkti, është e grupit të punës. Pas kalimit në Bruksel, do t’i kalojë Kuvendit e Parlamentit. Konsultimi publik është shumë me rëndësi”, tha Manja sipas gazetares së Top Channel, Anila Hoxha.

Ai i bëri ftesë opozitës, që të kontribuojë me ekspertizë.

“Drafti, punë serioze profesionale, bazë për konsultimin, përfshirja e ekspertizës është me shumë rëndësi”, theksoi ai.

“Akt i rëndësishëm ligjor, krijon efekte dhe përmbajtja është korrekte. Metodologjia: konsultime me institucionet, shoqërinë civile, risitë janë: konceptet drejtësia restauruese, kriminalizimi i veprave të reja penale”, tha Arben Rakipi.

Drafti i Kodit të ri penal

Top Channel