
Doktori i ri nuk e ka problem moszbatimin e statutit nga ai i vjetri.
Ilir Alimehmeti është i mendimit se diskutimi për largimin apo jo të Sali Berishës i takon forumeve.
“Berisha është kryetar i PD. Statutin e vendos partia dhe është e drejta jonë që ta bëjmë këtë diskutim brenda forumeve tona, kur të mblidhen. Unë jam anëtar i Këshillit Kombëtar, ju e dini, nuk është mbledhur deri tani, ne do kemi diskutimet tona”, thotë Ilir Alimehmeti për Top Channel.
Humbja e zgjedhjeve nuk u shoqërua me dorëheqje të lidershipit. Me mbylljen e betejës ligjore, doktori Alimehmeti pret që partia të futet në një fazë të re, atë të reflektimit dhe analizës së performancës së rezultatit, që duhet të shoqërohet me ndryshim të strukturave drejtuese.
“Kjo është çka bën një parti politike të lëvizë dhe të ketë rotacion brenda vetes. Po të kishte qenë puna për dorëheqje të dikujt, dorëheqjet duhej të ishin dhënë. Ndryshimet përndryshe janë rrjedhojë e një reflektimi më të matur dhe më kolegjial mbi performancat zgjedhore. Sa dikush, apo një forcë, apo një grupazh ka arritur të prodhojë. Nëse ka performuar mirë, duhet të ecë një hap përpara, apo nëse ka bërë të kundërtën, të ecë një hap pas. Sepse ne supozojmë të bëjmë rotacion brenda Shqipërisë, e njëjta gjë duhet të ndodhë brenda nesh”, thotë ai.
Pas radiografisë së brendshme, doktori Alimehmeti është i mendimit që dyert e Partisë Demokratike duhet të hapen për të rinjtë.
“Unë vetë jam produkt i hapjes, por është produkt i vogël. Numrat kanë qenë të vegjël, duhet të zgjerohet, sepse vetëm në këtë lloj mënyre mund të ndodhë oksigjenimi që mund të sjellë një hap më shumë, një marsh më shumë”, shprehet Alimehmeti.
Emri i Ilir Alimehmetit lakohet sa herë ka zgjedhje në parti apo jashtë saj. Ai është i mendimit se demokratët nuk janë gati për një garë elektorale të parakohshme, ndërsa këmbëngul se ka ardhur koha për ndryshim të sistemit zgjedhor, i cili la jashtë Parlamentit më të votuarit nga populli – njëri prej tyre ishte dhe vetë ai, të cilin sistemi e penalizoi.
Top Channel