Incidentet turbullojnë fundjavën e Tomorrowland 2025! Zjarri, vdekja e dyshimtë dhe dhjetëra të arrestuar për përdhunim

25/07/2025 21:15

Fundjava e parë e festivalit legjendar të muzikës elektronike, Tomorrowland 2025, nuk kaloi pa incidente të rënda.

Përveç një zjarri masiv që përfshiu skenën kryesore, autoritetet belge u përballën me një seri ngjarjesh të rënda që përfshijnë arrestime, gjoba dhe hetime penale.

Zëdhënësi i policisë, Joris Van Camp, tha për mediat se fundjava nuk pati një fillim të lehtë.

“Përveç zjarrit dhe një vdekjeje të dyshimtë, kemi identifikuar edhe praninë e dy individëve të dyshuar si kriminelë. Të gjitha shërbimet e emergjencës dhe ekipi i sigurisë punuan me përkushtim gjatë gjithë kohës,” -deklaroi ai.

Sipas burimeve të “hln.be”, policia arrestoi gjithsej 36 persona. Nga këta, 17 u ndaluan për vepra penale serioze si trafik droge, vjedhje dhe sulm seksual. 19 të tjerë u arrestuan për dehje publike, sjellje shqetësuese dhe hyrje të paautorizuar në zona të ndaluara.

Një rast i veçantë që po hetohet nga prokuroria ka të bëjë me një ngjarje të ndodhur në kampingun DreamVille, ku një burrë belg 27-vjeçar akuzohet për përdhunim dhe pritet të dalë para gjykatës.

Ndërkohë, në rrjetet sociale, veçanërisht në TikTok, janë shpërndarë video që tregojnë prani të shtuar policore dhe patrullime me qen antidrogë në hyrjet e festivalit.

Autoritetet kanë lëshuar gjithashtu 18 gjoba për pjesëmarrës të cilëve u janë gjetur sasi të vogla lëndësh narkotike për përdorim personal, me një total gjobash që kap shifrën e 45,900 eurove.

Tomorrowland, i njohur për atmosferën festive dhe organizimin spektakolar, këtë vit u përball me një sfidë të jashtëzakonshme në përpjekjet për të garantuar sigurinë e mbi 400 mijë vizitorëve që marrin pjesë gjatë dy fundjavave të festivalit.

Top Channel