Ftoi një 18-vjeçar në shtëpinë e tij e më pas… politikani australian shpallet fajtor për përdhunim

25/07/2025 08:26

Një juri në Uellsin e Ri Jugor ka shpallur fajtor Gareth Ward, deputet i pavarur dhe ish-ministër i Partisë Liberale, për përdhunim dhe tre akuza për sulm të pahijshëm ndaj dy burrave të rinj.

Viktimat, të moshës 18 dhe 24 vjeç në kohën e ngjarjeve, thanë se u sulmuan në shtëpinë e Ward mes viteve 2013 dhe 2015.

Ward, 44 vjeç, u përball me një proces gjyqësor që zgjati nëntë javë në Gjykatën e Distriktit të NSW, ku juria diskutoi për tre ditë përpara se të arrinte në një vendim fajësie. Ai akuzohej për sulme të përsëritura ndaj një 18-vjeçari të dehur në vitin 2013 dhe për përdhunimin e një anëtari të stafit politik dy vite më vonë, pas një eventi parlamentar.

Ward mohoi të gjitha akuzat, duke pretenduar se përdhunimi i vitit 2015 nuk kishte ndodhur dhe se viktima tjetër po kujtonte gabimisht ngjarjet. Por prokurorja e kurorës, Monika Knowles, theksoi ngjashmëritë “përtej rastësisë” në dëshmitë e dy viktimave, të cilët nuk njihnin njëri-tjetrin. “Sjellje e ngjashme, mjedis i ngjashëm, i njëjti njeri, i njëjti përfundim”, deklaroi ajo në gjyq.

Pasi akuzat u bënë publike në vitin 2021, Ward dha dorëheqjen nga qeveria dhe Partia Liberale, por refuzoi të largohej nga parlamenti. Ai u rizgjodh si deputet i pavarur për zonën Kiama në zgjedhjet e vitit 2023. Qeveria e NSW kishte shqyrtuar mundësinë për ta përjashtuar nga parlamenti, por vendosi të mos veprojë për të shmangur ndikimin në procesin gjyqësor.

Gareth Ward do të paraqitet sërish në gjykatë më vonë gjatë vitit për të dëgjuar vendimin për dënimin e tij. Çështja ka shkaktuar tronditje në politikën shtetërore dhe pritet të nxisë debat rreth etikës në parlament dhe mekanizmave të përjashtimit të anëtarëve të dënuar penalisht.

Top Channel