
Një figurë e paharrueshme e wrestlingut botëror, Hulk Hogan, ka ndërruar jetë në moshën 71-vjeçare pas një arrestit kardiak të papritur në rezidencën e tij luksoze në Florida.
Lajmi është konfirmuar mëngjesin e së enjtes, pas përpjekjeve të ekipeve mjekësore për ta shpëtuar. Legjenda e WWE, i njohur me emrin e vërtetë Terry Bollea, kishte kaluar vite me sfida shëndetësore për shkak të karrierës intensive në ring dhe stërvitjes së vazhdueshme.
Vetëm pak javë më parë, Hogan kishte kaluar një ndërhyrje kirurgjikale në qafë, por ishte kthyer në aktivitet menjëherë pas operacionit. Megjithatë, ai u pa përsëri në spital, ndonëse bashkëshortja e tij, Sky, kishte mohuar zërat për përkeqësim të gjendjes së tij shëndetësore.
Hogan ishte më shumë se thjesht një ikonë e wrestlingut me tituj të shumtë kampioni dhe dy herë i futur në Hall of Fame të WWE. Në vitet e fundit, ai u bë gjithashtu një figurë politike e njohur, duke u rreshtuar hapur përkrah Donald Trump dhe lëvizjes MAGA.
Në vitin 2024, në Konventën Kombëtare Republikane, ai mbajti një fjalim të zjarrtë duke e quajtur Trump “një hero i vërtetë amerikan” dhe “gladiatori që do ta bashkojë sërish Amerikën.”
Në rrjetin e tij Truth Social, Presidenti Trump publikoi një homazh emocional, duke e përshkruar Hogan si një mik të madh, të fortë, inteligjent dhe me një zemër të madhe. “Ai ndikoi kulturën në mënyrë të pabesueshme. Hulk Hogan do të na mungojë jashtëzakonisht shumë,” shkroi Trump.
Miqësia mes tyre u konsolidua ndër vite, duke filluar që nga vitet ’80 kur WWE organizonte evente në hotele të Trump, e deri te WrestleMania 23 ku Trump u përfshi personalisht në spektakël duke rruar kokën e Vince McMahon në ring. Hogan kujtonte me admirim atë kohë, duke e përshkruar Trump si një person që nuk ka ndryshuar kurrë: “I njëjti njeri, i përulur, i afërt, një njeri me cilësi të vërteta.”
Edhe Zëvendëspresidenti aktual i SHBA, JD Vance, reagoi pas ndarjes nga jeta të legjendës, duke e cilësuar “një ikonë të vërtetë amerikane” dhe një hero fëmijërie. “Premtuam se do pimë ndonjë birrë bashkë herën tjetër që takoheshim. Tashmë ajo birrë do të jetë në botën tjetër. Pusho në paqe, mik.”
Vdekja e Hulk Hogan shënon fundin e një epoke në botën e sportit dhe kulturës pop. Nga ringu i WWE deri në skenën politike amerikane, ai mbeti gjithmonë një figurë që nuk linte askënd indiferent – një “Real American”, siç e këndonte vetë.
Top Channel