Një aksident i rëndë ka ndodhur paraditen e sotme në qytetin e Sarandës, në rrugën “Janaq Kumi”.

Në ngjarje janë përfshirë një automjet dhe një motor, ku si pasojë ka mbetur i plagosur rëndë drejtuesi i motorit.
Sipas të dhënave paraprake, mjeti tip “Citroen” me targa AB122NO, i drejtuar nga Danjel Veizi, ka kryer një manovër të gabuar duke i prerë rrugën motorrit “Yamaha TMax” me targa CB876, që drejtohej nga Aurel Gumeni, 27 vjeç, raporton korrespondentja e Top Channel Kristina Fidhi.

Përplasja ka qenë e fortë, duke i shkaktuar këtij të fundit dëmtime të shumta trupore. Pas dhënies së ndihmës së parë në Spitalin Rajonal të Sarandës, për shkak të politraumave të pësuara, 27-vjeçari është transportuar me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për trajtim të specializuar.

Policia ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e aksidentit dhe për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore.

Top Channel