
Ura e Milotit është mbyllur përfundimisht për qarkullimin, pas konstatimit të dëmtimeve serioze në këmbët mbajtëse, të shkaktuara si pasojë e mungesës së ndërhyrjes për mirëmbajtje dhe marrjes së inerteve në afërsi të strukturës së saj.
Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar, mbyllja është marrë si masë sigurie, pasi ura përbën një rrezik real për shembje dhe kalimi mbi të është bërë i pamundur.
Megjithatë, nuk është dhënë asnjë informacion zyrtar nëse do të ndërhyhet për riparimin e saj apo cili do të jetë fati përfundimtar i kësaj ure strategjike.
Kjo situatë vjen në një moment kritik, kur trafiku në aksin Milot–Lezhë është në kulmin e tij për shkak të fluksit turistik.
Mungesa e urës pritet të krijojë kaos dhe radhë të gjata në hyrje-dalje të qytetit të Lezhës, duke ndikuar ndjeshëm në lëvizjen e banorëve dhe pushuesve.
Top Channel