Trump nuk do të luajë golf i qetë, valë e madhe protestash pritet në Skoci kundër Presidentit amerikan gjatë pushimeve të tij

24/07/2025 11:08

Një valë protestash pritet të shpërthejë këtë fundjavë në Skoci, ndërsa qytetarët nga Ayrshire deri në Aberdeenshire janë mobilizuar për të kundërshtuar atë që ata e quajnë “radikalizimin gjithnjë e më të theksuar” të politikave të Presidentit amerikan Donald Trump.

Ai pritet të mbërrijë të premten në Skoci për një vizitë pesëditore private në resortet e tij luksoze të golfit në Turnberry dhe Menie.

Edhe pse nuk është një vizitë zyrtare shtetërore, kryeministri britanik Keir Starmer do të zhvillojë një takim me Trump të hënën në Skoci.

Nuk është parashikuar një konferencë për shtyp, por gazetarët do të lejohen të ndjekin fillimin e takimit – një moment që mund të sjellë një tjetër dalje spontane nga Trump përpara mediave, siç ka ndodhur më parë.

Policia e Skocisë ka bërë të ditur se nuk pritet ndonjë incident i madh apo trazira nga protestat, megjithatë është paralajmëruar për një ngarkesë të madhe mbi forcat e rendit.

Sipas Federatës së Policisë së Skocisë, operacioni i sigurisë do të shtrijë kapacitetet në maksimum, duke dyfishuar kohën e reagimit ndaj ngjarjeve të tjera në territor.

Koalicioni “Stop Trump” ka njoftuar organizimin e dy protestave të mëdha të shtunën në mesditë: një në qendër të qytetit Aberdeen dhe një tjetër përpara konsullatës amerikane në Edinburgh. Gjatë vizitës së fundit të Trump në Skoci në vitin 2018, protesta të ngjashme mblodhën mijëra qytetarë.

Organizatorët e protestave shprehen se zemërimi ndaj Presidentit amerikan në Skoci është thelluar. “Që në vizitën e tij të parë si president, shumica dërrmuese e skocezëve ishin kundër gjithçkaje që Trump përfaqësonte. Sot, që kemi parë më shumë nga mënyra e tij e qeverisjes, kjo ndjenjë është forcuar edhe më tepër,” tha Connor Dylan, organizator në Aberdeen dhe Edinburgh.

Vizita ndodh në një moment politik delikat, kur shumë prej ideve që dikur konsideroheshin margjinale në politikën amerikane, po përhapen dhe gjejnë jehonë edhe në Europë përmes aleatëve të ekstremit të djathtë. Me përplasjet që ndjekin kudo që shkon, Trump nuk pritet të kalojë pa zhurmë as këtë herë në tokën skoceze.

Top Channel