“Task forcë në terren”, Balluku: Kontrolle për pastrimin e akseve kombëtare, do vihen dhe gjoba

24/07/2025 19:43

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, paralajmëroi ngritjen e një task force në terren, në kuadër të aksionit për pastrimin e territorit dhe akseve kombëtare.

Gjatë një inspektimi në aksin Kombinat-Ndroq Plepa, Balluku tha se task forca do jetë në terren gjatë muajit korrik, duke këshilluar, paralajmëruar dhe gjobitur të gjithë ato subjekte që janë në kundravajtje.

Ne sot kemi ngritur një task forcë, pikërisht për këtë sektor. Që i takon sektorit të mjedisit. Ne jemi në bashkëpunim dhe me Autoritetin Rrugor, që të fillojmë menjëherë këtë aksion si me gjoba, ashtu edhe me masa të tjera”, u shpreh zv/kryeministrja Belinda Balluku.

Zëvendëskryeministrja Balluku paralajmëroi se do të zhvendosen kontrollet edhe në zonën e Niklës, ndërsa deklaroi se gjithçka monitorohet përmes droneve.

“Sot territori i Shqipërisë kontrollohet me pamje satelitore, kontrollohet me dron dhe në kohë reale, kemi në ekranet e qendrave të monitorimit gjithçka që ndodh në territor, dhe duhet të kemi mirëkuptimin tuaj, dhe duhet të bëhet me vullnet dhe të mos ketë ndërhyrje nga IKMT”, theksoi Balluku.

Aksioni i IKMT do të mbështetet dhe nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.

Top Channel